Dallimet rreth projektligjit për mediat dhe çështjes së emrit janë dy tema që mund të shkaktojnë krizë të re politike mes partnerëve të koalicionit qeveritar në Shkup.

Për shkak të kundërshtimit të partisë së Ali Ahmetit të hënën është ndërprerë seanca parlamentare në të cilën duhej të niste debati për projektligjin për mediat, që muajin e kaluar u kundërshtua nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Sipas BDI-së, qëndrimi kundër këtij drafti është pro-evropian. “Mospajtimi ynë lidhur me ligjin për mediat, në fakt është duke bllokuar miratimin e këtij ligji në Parlament. Dhe mendoj se ky është një moment pozitiv për të cilin opinioni duhet informuar dhe duhet përshëndetur si një qëndrim politik, konseguent dhe pro-evropian i Bashkimit Demokratik për Integrim”, ka deklaruar deputetja Ermira Mehmeti.

Ky qëndrim kundërshtues i BDI-së ka nxitur reagimin e partnerit maqedonas. Partia e kryeministrit Gruevski, përmes një komunikate ka pyetur subjektin shqiptar se, cilat janë shkaqet e vërteta për ndryshimin e qëndrimit ndaj këtij drafti, i cili ka kaluar të gjitha proçedurat qeveritare dhe parlamentare me mbështetjen e BDI-së.

Përveç kundërthënieve për këtë projekt ligj, dallime serioze mes partnerëve të koalicionit qeveritar janë shfaqur gjatë javës së kaluar edhe rreth problemit bilateral me Greqinë.

Pas një deklarate të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, se pret zhvillime të reja drejt zgjidhjes së çështjes deri në dhjetor ka reaguar partia maqedonase VMRO-DPMNE, duke saktësuar se, dy subjektet qeveritare nuk ndajnë përshtypje dhe qëndrime të njëjta për këtë çështje.

Ndërkohë, kreu i BDI-së nuk ka përjashtuar mundësinë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend, nëse çështja e emrit nuk zgjidhet së shpejti.

Top Channel