Riatdhesohen trupat e dy gazetarëve francezë

05/11/2013 00:00

Trupat e pajetë të dy gazetarëve francezë që u rrëmbyen e më pas u qëlluan për vdekje ditën e shtunë në veri të Malit në Afrikë, u rikthyen në atdhe.

Ghilaine Dupont, 57 vjeç dhe Claude Verlon 58 vjeç të “Radio France International” u rrëmbyen dhe u ekzekutuan të shtunën pas një interviste me një lider lokal në qytetin e Kidalit.

Mes të pranishmëve që pritën trupat e pajetë të dy gazetarëve në aeroportin “Charles de Gaulle”, ishte edhe presidenti Francois Hollande.

Avioni me arkëmortet mbërriti në orët e para të mëngjesit në Paris ku vec presidentit Hollande të pranishëm ishin edhe familjarët dhe kolegët e dy viktimave.

Ndërkohë, presidenti i Malit, Ibrahim Boubacar Keita u zotua se do të bëjë gjithcka për të nxjerrë para drejtësisë autorët e vrasjeve. Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius e përshkroi ekzekutimin e tyre si të “mirëorganizuar dhe të llogaritur”.

Top Channel