Bllokohet krom kontrabandë; Tahiri në Lezhë

05/11/2013 00:00

Më shumë se një mijë ton mineral kromi u bllokua gjatë një operacioni blic nga policia e Lezhës, që kontrolloi lëvizjen e mjeteve të rënda me destinacion portin.

Për këtë, 19 kamionë u ndaluan të qarkullonin pranë kryqëzimit të Milotit, e konkretisht në aksin rrugor Milot-Laç, për t’u dërguar më tej në një pikë bllokimi pranë Shëngjinit.

Mësohet se kromi që po transportohej, me shumë mundësi nga vendburimet e Bulqizës, nuk kishte asnjë dokument shoqërues.

Policia e Shtetit thotë se prej 19 kamionëve të bllokuar, 15 prej tyre ishin të ngarkuar me krom dhe katër të tjerët me inerte. Policia thotë se kamionët nuk kanë dokumentacionin e nevojshëm dhe se minerali i përket disa subjekteve të biznesit, të cilat operojnë në rrethet e Bulqizës dhe Dibrës.

Sipas policisë, vepra penale që dyshohet se është konsumuar, është “fshehja e të ardhurave” dhe “falsifikim dokumentesh”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë kontrolleve përgjatë autostradës, policia bllokoi edhe disa mjete të rënda me lëndë drusore, në zonën e qafës së Buallit, në Bulqizë. Njëkohësisht me kontrollet në rrugë është ngritur edhe një “task forcë” që po shqyrton lejet dhe koncesionet në zonën krommbajtëse të Bulqizës.

Pas këtij operacioni, në qytetin e Lezhës mbërriti ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Për rreth dy orë, ministri Tahiri qëndroi në policinë e këtij qarku, në një takim me efektivët e kësaj policie.

Ndërsa zyrtarisht nuk mësohet asnjë e dhënë për çfarë është diskutuar, në rrugë jo zyrtare thuhet se ministri i Brendshëm ka dhënë udhëzime për të luftuar çdo veprimtari të kundraligjshme.

Top Channel