Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se në takimin e së mërkurës me baroneshën Ashton dhe kryeministrin kosovar Thaçi do të shtrojë opsionin e shpalljes të pavlefshme të zgjedhjeve në veri të Kosovës.

“Në takimin me Ashton dhe Thaçin, njëra nga temat e bisedimeve do të jetë edhe shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në veri të Kosovës, si dhe në të gjitha vendet ku serbët e kanë pasur të pamundur të votojnë dhe kanë qenë të frikësuar”, ka thënë Daçiç për mediat serbe.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se në takimin e së mërkurës pritet të marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Një ditë më parë Bashkimi Evropian dënoi incidentet e dhunshme në veriun e Kosovës, duke konsideruar paraprakisht se ato prishën procesin e rregullt në pjesën tjetër të vendit.

“Ne i dënojmë incidentet e dhunshme që ndodhën dje në veriun e Mitrovicës, pasi, siç e keni parë, ato prishën procesin që u zhvillua në mënyrë të rregullt në pjesën tjetër të vendit”, deklaroi zëdhënësja e Ashton, Maja Koçijançiç.

Top Channel