Si përdhunuesit e ligjit çirren për mbrojtjen e ligjit!

06/11/2013 00:00

ANDREA STEFANI – Lulzim Basha u shfaq dy ditë më parë në media më i
egërsuar ndaj Kryeministrit Rama për shkak të bllokimit dhe
paralajmërimit për prishje nga qeveria të disa godinave ndër të cilat,
edhe të një pallati në Vlorë ku është pronar edhe vjehrri i Bashës vetë.

Ky fakt i fundit, që e nxjerr automatikisht kreun e opozitës në konflikt interesi, mendohej se duhet ta bënte atë disi më të përmbajtur. Por kjo nuk ka ndodhur dhe Basha e ka akuzuar rëndë qeverinë se po funksionin si bandë mafioze duke “angazhuar në punën e saj paligjshmërinë sistematike”. Madje Basha, ka shkuar edhe më larg kur ka komentuar se një ndërhyrje e tillë arbitrare nga qeveria kundër të drejtave themelore, pasurisë dhe pronës së qytetarëve, pra paligjshmëria si sjellje konstante e qeverisë “përligjin vetvetiu dhe në mënyrë të rrezikshme vetëmbrojtjen e qytetarëve”.

Nuk do të ndalemi shumë për të qartësuar se ç’kupton Basha me “vetëmbrojtje e qytetarëve”, sepse kjo është një nga ato shprehje që përfshin nga reagimi me mjete demokratike e deri te revolta e armatosur. Është një taktikë që Basha po e përvetëson nga babai i tij politik, Berisha, i cili kur i nevojitet, përdor terma shumë të gjerë për çështje mjaft të ngushta. Por fakti i stigmatizimit të qeverisë “bandë mafioze” dhe cilësimi “i rrezikshëm” për vetëmbrojtjen qytetare, bartin shijen e një konotacioni dhune. E megjithatë kur e sheh Bashën, që deri dje vëzhgonte me gjakftohtësi nga dritaret e Kryeministrisë të vriten nga plumbat e ushtarëve të tij protestues të pafajshëm, të ngrejë zërin kundër një qeverie që funksionokërka si bandë mafioze, bëhesh kureshtar të zbulosh se kush vërtet ka angazhuar në punën e saj “paligjshmërinë sistematike”, qeveria e sotme e Ramës apo ajo e djeshmja e Bashës dhe e Berishës?

***

Nuk do të flasim për të tjera gjëra, por pikërisht për atë ku edhe është fokusuar debati politik, godinën që tashmë njihet si “pallati i Bashës”. A është dhënë leja për ndërtimin e këtij pallati në përputhje me ligjin? Dje gazeta “Tema” publikoi vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë së Vlorës, për dhënien e lejes së ndërtimit të “pallatit të Bashës”. Që në krye të herës në dokument, qartësohet se vendimi është marrë në bazë të ligjit 9045 “Për Urbanistikën” miratuar në vitin 1998. Në media është shkruar se parametrat e lejes së ndërtimit janë shkelur dhe njerëzit kanë parë se pallati është shtrirë disa metra në brendësi të detit. A është dhe a ka qenë e ligjshme ndonjëherë në Shqipëri që të mund të ndërtosh në brendësi të vijës së ujit në bregdet? Asnjëherë! Sepse qysh në vitin 1998 një vendim i qeverisë ka miratuar, po në zbatim të ligjit “Për Urbanistikën” rregulloren e urbanistikës ku shkruhet e zezë mbi të bardhë: “Urbanizmi i bregdetit duhet të jetë i kufizuar vetëm për pajisje që lidhen drejtpërdrejtë me të. Në një rrip me gjerësi 250-300 metra nga niveli më i lartë i sipërfaqes ujore nuk lejohen ndërtime përveç rasteve të veçanta që përbëjnë objekt justifikimi të qartë mbi bazën e motiveve urbanistike ekonomike ose detyrimeve topografike”.

***

Nuk besojmë se “pallati i Bashës”, në fakt një shëmtirë si një “rubik’s cube” prej betoni dhe me ca kuba mangët dhe pa ngjyra, justifikohet në bazë të motiveve urbanistike, ekonomike e aq më pak topografike. Vetëm pazare të pista, korrupsion dhe arrogancë e njerëzve, pushteteve dhe institucioneve, përfshirë edhe Bashkinë dhe KRT-në e Vlorës, e që e mendojnë veten mbi ligjin dhe gjithë qytetarët e tjerë, e shpjegojnë një përdhunim të tillë të ligjit. Sqarojmë se me “nivel më i lartë të sipërfaqes ujore” kuptohet vija ujore në momentin e baticave. Pra ndërtimet duhet të jenë 250-300 metra nga kjo vijë. Tashmë kemi parë se “pallati i Bashës” është ndërtuar as 200, as 100 as 50 metra larg kësaj vije por brenda në det. Është një vepër makabre, një monstër e arrogancës së njerëzve me pushtet kundrejt ligjit të cilin e kanë përdhunuar jo 50, 100 por 300 për qind! Kësaj i thonë, as më shumë dhe as më pak, ta hedhësh ligjin jo në koshin e plehrave por në… det! Dhe është pikërisht për faj të këtij përdhunimi të ligjit, që sot në Shqipëri janë asgjësuar plazhe të tëra si në asnjë shtet tjetër në botë. Plazhi i Durrësit është një tjetër shembull tmerrues se si pasuri publike shkatërrohen “me ligj” nga qeveritarë që jo vetëm kanë angazhuar në punën e tyre paligjshmërinë sistematike, sikundër thotë Basha, por e kanë shndërruar shkeljen e ligjit në sistem. Vlera të mëdha turistike që do pasuronin buxhetin publik dhe qytetarët e varfër të këtij vendi, janë rrënuar për të shndërruar në miliona për xhepat e një grushti pushtetarësh dhe të privilegjuarish pranë tyre. Dhe janë pikërisht njerëz si Basha e Berisha, bashkëfajtorë në masakrimin me ligj të territorit dhe bregdetit për llogari të klaneve të panginjshme në miliarda ku bëjnë pjesë, që sot akuzojnë qeverinë “Rama”, që po përpiqet t’i japë fund kësaj masakre duke goditur pa dallim, në fakt jo tej pro brenda edhe së majtës edhe së djathtës, se po shkel ligjin! Janë këta njerëz që mllefin e tyre për kërcënimin e pasurive të tyre të vëna me paligjshmëri, kërkojnë ta injektojnë tek fanatikë të verbuar po prej tyre, për t’i keqpërdorur si mish për top po për interesat e tyre! Ndaj edhe pse Berisha dhe Basha e mbrojnë me aq zjarr “pallatin e Bashës” në emër të “të drejtave themelore të qytetarëve” duke hedhur kushtrimin kundër “mafies në pushtet”, nuk është fare e vështirë të dallosh se kush është mafia dhe kush është një bandë që “qeveris” me anë të përdhunimit konstant të ligjit? Dhe a nuk dalin Basha dhe Berisha si përdhunues të ligjit të çirren për mbrojtjen e ligjit!

Gazeta “Shqip”

Top Channel