Forcat e policisë anti-turmë kanë bastisur zyrat e ish-televizionit
publik ERT, duke përdorur gaz lotësjellës për të hyrë brenda dhe duke
arrestuar disa persona.

Policia formoi një kordon rreth ndërtesës në Athinë, përpara se të shkonte dhomë më dhomë për të evakuuar protestuesit. Ish-punonjësit e organit shtetëror mediatik kanë pushtuar ndërtesën që prej mbylljes së tij në qershor dhe pushimit nga puna të 2.600 anëtarëve të stafit.

Koalicioni qeverisës konservator grek deklaroi atëherë se transmetuesi publik kushtonte shumë për t’u menaxhuar në krizën ekonomike. Mbyllja e ERT-së çoi në tërheqjen e krahut të majtë nga koalicioni qeverisës i kryeministrit Andonis Samaras, lëvizje që për pak çoi në rrënimin e qeverisë.

Korrespondenti i BBC në Athinë, Mark Lowen thotë se çështja është nëse ERT do të shkaktojë sërish trazira sociale dhe do të tregojë se sa fuqi kanë grekët për të vazhduar protestat.

Pas njoftimit për mbylljen e ERT-së në qershor, qindra anëtarë të stafit refuzuan të linin ndërtesën dhe vahzduan transmetimin e programeve përmes internetit.

Por në orët e para të së enjtes policia greke mbërriti për të marrë nën kontroll ndërtesën në Agia Paraskevi, një zonë periferike në veri të Athinës.

Forcat e policisë përdorën gaz lotësjellës për të shpërndarë rreth 200 protestues jashtë ndërtesës dhe më pas boshatisën çdo dhomë brenda saj.

Një anëtar i stafit brenda ndërtesës tha për BBC se ndërhyrja brenda e policisë ishte paqësore. Rreth 20 punëtorë u nxorrën jashtë por tre të tjerë refuzuan dhe për këtë u arrestuan. Policia aktualisht e ka lënë ndërtesën dhe protestuesit po mblidhen sërish.

Agjencia shtetërore helene e lajmeve raportoi se Panagiotis Kalfagiannis, gazetar dhe kryetar i sindikatës së punonjësve të ERT-së, është mes personave të arrestuar për prishje të rendit publik.

Top Channel