Minierat, Gjiknuri: Shkurtuat fondet

07/11/2013 00:00

120 milionë lekë ka qenë projekti për sigurinë e minierave që cilësohen në konservim, projekt që do të realizonte sigurinë e galerive të mbyllura dhe që nuk shfrytëzohen për dobi ekonomike, nga të cilat 32 milion për pagat e rojeve me tre turne në to.

Por për minierat, në një prej të cilave humbën tragjikisht jetën 5 të rinj janë dhënë vetëm 5 milion, deklaroi në Kuvend Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri.

Damian Gjiknuri, Ministër i Energjitikës: Le të fillojë hetimi penal përse u bë projekti? Përse u fut prioritar për mbylljen e këtyre minierave dhe kush ishte ai person që mban përgjegjësi që kjo gjë nuk u bë? Unë do ta bëj këtë.

Ridvan Bode, deputet PD: Është detyra jotë që atë minierë që është në konservim ta ruash, paguajmë njerëz, paguajmë rreth 15 vetë që duhet të ruajnë atë minierë pikërisht se është e rrezikshme. Ky është një turp!

Damian Gjiknuri: Të ngrihesh këtu dhe të hedhësh akuza mbi qeverinë kur përgjegjësinë e ke vetë, ku nga 120 mln që të është kërkuar ke dhënë vetëm pesë, nuk e di vetëm një i marrë mund të bëjë këtë që të hedhë përgjegjësinë tek tjetri.

Ndërsa deputetët shpenzuan orë debatesh për zgjedhjet e Korçës dhe deputetët e opozitës kanalizuan akuzat për qeverinë vetëm tek kjo cështje, dy viktima të tjera u shënuan në një tjetër minierë, në atë të Quksit në Librazhd, e dhënë me koncension nga qeveria Berisha.

“Nuk hezitoj aspak që në radhë të parë t’i kërkoj qeverisë që për të gjitha këto miniera të dhëna me koncesion kompanive fantazmë që përvec dy lopatave dhe një karroce nuk kanë asgjë tjetër, të hetohen, të vihen para ligjit të gjithë personat përgjegjës për mungesën e sigurisë minimale në punë”, tha deputeti socialist, Taulant Balla.

“Albminiera” në vështirësi financiare

Shoqëria publike “Albminiera” e cila menaxhon territorin e 33 minierave të shpërndara në disa zona të vendit deklaron përmes një njoftimi për mediat se ndodhet në vështirësi financiare.

Sipas shoqërisë, situatë është aq e rëndë sa prej kohësh nuk mundet të paguajë as pagat e punonjësve. Kjo situatë thuhet në deklartë është krijuara që prej vitit 2011 e në vijim.

Pavarësisht kërkesave të herëpashershme drejtuar Ministrisë deri dhe ish-kryeministrit Berisha në fund të vitit 2012, fondi i lëvruar nga qeveria ka qenë i pamjaftueshëm.

Shoqëria thotë se ajo ka të punësuar 33 punonjës për ruajtjen e këtyre 33 minierave që ndodhen në katër prefektura të vendit, kur ndërkohë do të duheshin 120 roje për tre turne. 

Nga ana tjetër shoqëria Albminiera është e angazhuara në procesin e mbylljes së 224 punimeve minierave për të cilat nevojiten rreth 62.5 milion lekë.

Por që prej vitit 2009, pavarësisht kërkesave lëvrimi i fondeve ka qenë mjaft i ulët. Sipas shoqërisë kjo situatë e rëndë financiare ka rritur problemet, ka shkatërruar paralizë të aktivitetit dhe deri në pamundësi për të shlyer pagat e punonjësve prej disa kohësh.

Top Channel