Skena politike greke është tensionuar akoma më shumë nga mocioni i votëbesimit për qeverinë, që ka kërkuar lideri i partisë më të madhe opozitare “Syriza” në Parlament, pas ndërhyrjes së forcave speciale të policisë për të boshatisur godinën e televizionit shtetëror “ERT” në Athinë, që mbahej prej gati pesë muajsh nga një grup punonjësish, që kundërshtonin mbylljen e tij.

“Kjo qeveri ka kryer një grusht shteti me këtë akt ndaj demokracisë, pasi mbyllja e televizionit shtetëror ende nuk është aprovuar nga Parlamenti, – ka deklaruar Aleksis Tsipras, që ka theksuar gjithashtu se, – qeveria e koalicionit ka dështuar edhe në negociatat me kreditorët, edhe në çdo masë shtrënguese që ka marrë, duke mbartur një përgjegjësi historike për gjendjen që po kalon vendi”.

“Kursi destruktiv duhet të ndalet tani”, – ka thënë ai, duke kërkuar aktivizimin e nenit 142 të Rregullores së Paralmentit për votëbesimin e qeverisë. Sipas rregullores, diskutimi për mocionin e votëbesimit do të fillojë në mesditën e së premtes dhe do të mbarojë të dielën në mbrëmje. Tepër i ashpër ka qenë edhe reagimi i partive më të vogla të opozitës.

“Ky veprim është një vazhdimësi e akteve autokratike të qeverisë, që kërkon të imponojë politikat e saj, të cilat nuk kanë mbështetjen e masave popullore”, ka thënë Thanasis Pafilis, deputet i Partisë Komuniste, për “Reuters”.

Ndërkohë, xhiron e botës kanë bërë pamjet me zinxhirin e mbërthyer me pranga në dyert e televizionit shetëror, pas ndërhyrjes së policisë, e cila ka rrethuar ndërtesën dhe nuk lejon askënd të hyjë, madje as deputetët e partive opozitare, që kanë kërkuar të jenë prezent në kontrollin që është kryer për aparaturën përkatëse.

Në pasditen e së enjtes, qindra qytetarë janë grumbulluar para ndërtesës së “ERT”-së në Athinë dhe Selanik, në shenjë solidarizimi me punonjësit që kanë humbur vendet e punës, dhe duke protestuar për politikat e qeverisë Samaras.

Edhe para pesë muajsh, mbyllja e televizonit shtetëror solli një krizë qeveritare, pasi një prej tre partive është larguar nga koalicioni qeverisës. Hyrja me forcë e policisë në ndërtesën e televizionit shtetëror dhe situata politike në vend po pasqyrohen me interes të veçantë nga shumica e mediave botërore.

Top Channel