Pas një fletë-arresti të lëshuar nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë,
në Novi Sad të Vojvodinës, të enjten mbrëma është arrestuar gazetari
maqedonas Zoran Bozhinovski, i cili njihet si një ndër kritikuesit më të
ashpër të qeverisë së Gruevskit.

Bozhinovski është akuzuar si pjesëtar i grupit të përfshirë në operacionin “Spiuni” dhe dyshohet se është marrë me veprimtari të paligjshme spiunimi dhe bashkëpunim me shërbimet e huaja sekrete, duke dëmtuar interesat shtetërore të Maqedonisë.

Ai është pronar i portalit informativ “Burevesnik” ku ka publikuar shkrime të ashpra kundër Qeverisë aktuale si dhe pretendime për afera lidhur me krerët më të lartë të shtetit, përfshi edhe  kryeministrit Gruevski. Bozhinovski ka mohuar se është marrë me spiunim për shërbimet sekrete dhe pohon se është arrestuar shkaku i të vërtetave që ia ka publikuar në faqen e tij te internetit.  

Në operacionin “Spiuni” u arrestuan 20 veta, mes tyre edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Parlamentit, ish drejtori gjeneral i kompanisë “Beton” si dhe  ish-drejtor i Agjencisë kundër pastrimit të parave. Ndaj tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Mediat maqedonase kanë raportuar se grupi i të akuzuarve, siç thuhet, ka siguruar informacione për islamizmin radikal, zgjedhjet dhe zhvillimet politike si dhe informacione sekrete si të sigurisë së lartë.

Top Channel