Një anije me më tepër se 20 mijë kallashnikovë, mijëra fishekë dhe një sasi arkash në të cilat dyshohet se ndodhen lëndë shpërthyese është sekuestruar nga autoritetet greke në jug të ishullit Rodos në Egje.

Sipas autoriteteve greke, anija “Nurem” ishte në listën e 50 anijeve të dyshuara se bëjnë pjesë në trafikun ndërkombëtar të armëve.

Sipas rojes bregdetare greke kjo anije dyshohet se përdorej prej trafikantëve për të çarë bllokadën e armëve që vendet europiane dhe SH.B.A vendosin kryesisht ndaj vendeve diktatoriale dhe atyre në konflikt.

“Nurem” ishte nisur nga Ukraina dhe kishte destinacion portin turk të Iskenderit. Por sipas hetuesve, ajo kishte devijuar destinacionin dhe endej në Egje.

Roja bregdetare greke thotë se kapiteni i anijes u deklaroi autoriteteve se ngarkesën do ta çonte në portin sirian Tartus, ndërsa më vonë deklaroi se ngarkesa do të dorëzohej në Libi.

Anija tashmë ndodhet nën sekuestron greke deri në zbardhjen e hetimeve, ndërsa me cështjen tashmë edhe shërbimet greke të inteligjencës kanë filluar hetimet për zbardhjen e saj.

Top Channel