Shkrimtari dhe ish i burgosuri politik, Bedri Myftari, u nda nga jeta në
moshën 75-vjeçare. Autor i shumë librave me poezi, tregime apo romane,
Myftari e nisi botimin e tyre që në vitin 1967. Bedri Myftari lindi në
fshatin Sklav të Filatit të Çamërisë më 21 dhjetor të vitit 1938, është
shkrimtar shqiptar.

Në moshën 5-6 vjeçare, me gjithë familjen, u detyrua ta lërë vendlindjen e vet, Çamërinë, i detyruar nga holokausti i monarko-fashistëve grekë dhe erdhën e u vendosën në Shqipëri. Shkollën shtatëvjeçare e kreu në Fier, të mesmen, një teknikum financiar, në Tiranë, po ashtu edhe gjimnazin në Tiranë. Në fillim të viteve ’60 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ka filluar të shkruajë që në moshë fare të re. Është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) në vitin 1966. Në këtë kohë kishte botuar vëllimin me tregime “Fluturzat e borës” dhe “Mbrëmjet e qytetit tim”, me të cilat ka marrë çmim të dytë dhe të tretë në konkurset kombëtare. Gjatë kësaj kohe një grup të rinjsh: Bedri Myftari, Suzana Selenica, Bilal Xhaferri, Namik Mane, Zyhdi Morava, Faik Ballanca, Roland Gjoza, Kostandin Dhamo, Sadri Ahmeti etj., nisën të shkruajnë me dorë të lirë kundër realizmit socialist. Ky grup u zbulua nga organet e sigurimit të shtetit dhe u quajt “grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi” dhe shumica e anëtarëve, me kryetar grupi Bedri Myftarin, u dënuan për agjitacion e propagandë kundër vijës së partisë në art dhe letërsi. Të gjithëve iu hoq e drejta e botimit për 20 vjet. Pas lirimit nga burgu, Bedri Myftari punoi si punëtor në disa ndërmarrje në Tiranë. Pas rënies së diktaturës komuniste Bedriu punoi si gazetar në gazetën “Kosova”, kryeredaktor i gazetës “Tribuna Demokratike”, përgjegjës redaktor në gazetën “Emigranti shqiptar” që dilte në Europë, kryeredaktor i gazetës “Bota shqiptare” dhe “Çamëria”. Ka bashkëpunuar me gazetën “Drita” dhe revistën “Krahu i shqiponjës”, organ i OJQ Shoqata Kulturore “Bilal Xhaferri”, ku botonte publicistikë dhe krijimet e veta letrare. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe shoqata “Çamëria” shprehën dje ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këtij personaliteti të kulturës shqiptare. Për aktivitetet e tij kulturore, patriotike dhe disidencën ndaj regjimit komunist, PDIU dhe shoqata “Çamëria”, do t’i propozojnë Presidentit të Republikës dekorimin dhe vlerësimin e tij.

Top Channel