Kontrolli i kromit në Bulqizë

09/11/2013 00:00

Në zonen e Bulqizës vijojnë kontrollet për shfrytëzuesit e kromit dhe për sasinë e mineralit që del nga galeritë dhe transportohet për në Durrës.

Edhe pse ka nisur një aksion për ligjshmërinë e procesit ka ende tentativa për të transportuar mineral kromi pa asnjë dokument shoqërues.

Pas dhjetëra kamionëve të bllokuar nga Drejtoria e Policisë së Lezhës, së fundmi janë bllokuar edhe tre trajlera, një që i përket kompanisë konçesionare ACR, një kompanisë TurAlb, që punon në zonën D dhe një i një tjetër kompanie që punon në të njëjtën zonë.

Këto janë të dhënat e policisë, e cila ndërkohë ka sekuestruar një sasi të madhe kromi të nxjerrë nga një firmë që nuk kishte asnjë dokument.

Policia ka zbarkuar me forca të shumta në Bulqizë për të luftuar kontrabanden e kromit në vend. Herët në mëngjesin e së mërkurës nga komisariati i Mirditës u ndaluan dhe sekuestruan tre kamionë me krom.

Një ditë më parë më shumë se një mijë ton mineral kromi u bllokua gjatë një operacioni blic nga policia e Lezhës, që kontrolloi lëvizjen e mjeteve të rënda me destinacion portin.

Qeveria do të kalojë në sitë të gjitha konçesionet minerare në zonën e Bulqizës. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri nxorri muajin e kaluar një urdhër, i cili i hap rrugë aksioneve të kontrollit.

Top Channel