De Biazi harton listën kundër Bjellorusisë

09/11/2013 00:00

Italiani Gianni De Biazi, i cili pak javë më parë u rikonfirmua si trajner i kombëtares shqiptare, ka publikuar listën e lojtarëve të cilët ai do të ketë në dispozicion për ndeshjen miqësore me Bjellorusinë.

Mes 22 emrave të grumbulluar bie në sy rikthimi pas një mungese shumë të gjatë i Ledjan Memushit, Armando Sadikut dhe Edgar Canit.

Mesfushori 26-vjeçar, i cili është huazuar nga Lece tek skuadra e Caprit, ka qenë pjesë e kuqezinjve në kohën e Josip Kuzhes, por më pas nuk u grumbullua më nga tekniku italian. Në listë është edhe Loret Sadiku, i cili ende nuk ka bërë debutimin me kombëtaren shqiptare.

Mungojnë për këtë miqësore sulmuesi Salihi dhe dy mesfushorët Ervin Bulku dhe Ergys Kaçe. Ky i fundit do të jetë pjesë e kombëtares së shpresave në kualifikueset e radhës.

Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë do të luhet më 15 nëntor në Antalia të Turqisë dhe do të transmetohet direkt në Supersport.

Top Channel