Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar të hënën se as Brukselit e as Prishtinës nuk i leverdis që Komuna e Mitrovicës Veriore të ketë një kryetar shqiptar, pasi kjo mund të sjellë probleme.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare dhe qeveria e Serbisë ua kanë lënë serbëve të Kosovës që të vendosin vetë për fatin e tyre dhe tër zgjedhin nëse do të kenë një shqiptar në krye të komunës.

“Serbët as nuk e duan dhe as nuk e pranojnë një kryetar shqiptar. Kjo mund të sjellë incidente, të cilat mund të përshkallëzohen në konflikte të mëdha”, ka thënë Daçiç.

Javën e kaluar kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë ranë dakort në Bruksel për përsëritjen e procesit zgjedhor në zonat problematike të veriut të Mitrovicës, gjë që u konfirmua nga vetë ndërmjetësuesja e BE-së, Catherine Ashton.

“Ne patëm bisedime shumë të mira dhe pamë se do të ketë progres të mirë në trajtimin e pjesës së mbetur të procesit zgjedhor. Sigurisht që me detajet e këtij procesi do të merret Prishtina”, deklaroi Ashton.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, zgjedhjet në veri pritet të mbahen para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen më 1 dhjetor.

Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiç iu bëri thirrje serbëve të Kosovës për proces të rregullt zgjedhor në veri, që të mos luajnë me fatin e Serbisë, rrugëtimi evropian i së cilës varet nga zbatimi i Marrëveshjes së prillit.

Top Channel