Organet greke të drejtësisë kanë zbuluar një rast të ngjashëm me atë të vogëlushes Maria nga Bullgaria, që u gjet në një kamp ciganësh në Farsala, pranë Larisës, disa javë më parë, dhe që tronditi jo vetëm Greqin, por gjithë opinionin mbarë botëror.

Pas një hetimi nga ana e Prokurorisë së Selanikut, me urdhër të prokurorit të Gjykatës së Lartë për kërkime në çertifikatat e lindjeve të fëmijëve, të bëra në vitet 2008-2013 në regjistrat e gjendjes civile, është gjetur një nënë rome, e cila ka deklaruar se ka lindur një fëmijë, vetëm gjashtë muaj pas lindjes së mëparshme.

Organet greke të Rendit kanë gjetur menjëherë çiftin rom në një kamp ciganësh, në perëndim të Selanikut, dhe kanë kryer testin e ADN-së, pas të cilit ka rezultuar se ata nuk ishin prindërit biologjik të një prej fëmijëve të tyre, një djali katërvjeçar, që është çuar në Institutin bamirës “Buzëqeshja e Fëmijës”.

Më pas, ata janë arrestuar me akuzën për rrëmbim të fëmijës dhe përfitim të paligjshëm të ndihmave sociale, ndërsa kanë pretenduar se djalin ua kishte lënë një familje rome nga Bullgaria, e cila nuk kishte mundësi ekonomike për ta rritur.

Ndërkohë, nga një hetim i gjerë i organeve të Drejtësisë, në 47 gjendje civile të Selanikut, në gjithsej 3000 dosje, janë zbuluar deri tani gjashtë raste të tjera të dyshimta të ngjashme, për të cilat priten zhvillime në ditët e ardhshme.

Top Channel