Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rishikuar duke ulur vlerësimet për rritjen ekonomike të Serbisë, duke e çuar në 1.4 për qind për vitin aktual dhe në 1.7 për qind për vitin e ardhshëm.

Në maj parashikimet kishin qenë për një rritje prej 2.2 dhe 1.9 për qind, pas një rritjeje negative prej 1.7% në vitin 2012. Sipas raportimeve të mediave beogradase, BERZH nënvizon se falë eksporteve ekonomia serbe ka regjistruar një rritje prej 2.7 për qind në tremujorin e parë të vitit, por në të dytin rritja ka qenë vetëm 0.2 për qind.

Sipas institucionit bankar, rritja ekonomike në Serbi vitin e ardhshëm do të jetë më e ulëta në Evropën jug-lindore. BERZH shton se Serbia ka arritur në muajt e fundit sukseset më të mira përsa i takon eksportit, sidomos në industrinë e automjeteve dhe në atë të agrikulturës.

Por sipas FMN-së, vendi ballkanas ka një problem me defiçitin e lartë të borxhit, që sipas saj do të jetë mes 7 dhe 8 për qind në vitin 2013, si dhe me borxhin publik që është në rritje konstante dhe që ka arritur tashmë në 60 për qind të GDP-së. Në të njëjtën kohë, vihet re se kuota e inflacionit ka rënë ndjeshëm.

Ndërkohë, përsa i përket Kroacisë, FMN ka vlerësuar se viti 2013 do të mbyllet me një kontraktim të mëtejshëm të GDP-së, me rreth 0.75 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm do të mund të arrihet një rritje modeste vetëm nëse ekonomia do të rrisë konkurrencën në tregjet ndërkombëtare, sidomos në atë të BE-së, ku bën pjesë që prej korrikut.

FMN shpreh një vlerësim pozitiv për reformat e ndërmarra nga qeveria, sidomos në stabilitetin fiskal, shkurtimin e shpenzimeve publike dhe një seri privatizimesh, që do japin rezultate vetëm nëse intensifikohen.

Top Channel