“Greqia nuk kërkon negociata politike, por interlokutorë politikë autoritarë në gjendje të kuptojnë të dhënat reale dhe dinamikën e numrave për të bërë negociata ekonomike”.

Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm grek, njëkohësisht numri dy i qeverisë, Evangelos Venizelos gjatë një takimi me anëtarët e Komisionit parlamentar të Çështjeve Evropiane.

Komisioni është mbledhur me rastin e marrjes nga Greqia të presidencës së radhës të Bashkimit Evropian, në një kohë kur vendi vazhdon të jetë i dërrmuar nga kriza ekonomike.

Gjithashtu, marrja e presidencës nga shteti helen vjen vetëm pak ditë pasi qeveria greke i mbijetoi mocionit të votëbesimit që kërkoi më herët gjatë muajit partia më e madhe opozitare, Syriza.

Nga 294 deputetë në sallë, 124 votuan pro, 153 kundër dhe 17 u deklaruan të pranishëm. Por koalicioni i kryeministrit Andonis Samaras humbi një deputet nga gjiri i socialistëve grekë, që kishte përkrahur mocionin e opozitës dhe tashmë shumica në Parlament ka vetëm katër deputetë më tepër.

Votëbesimi u kërkua nga Radikalët e Majtë pas ndërhyrjes së forcave speciale të policisë për të boshatisur godinën e televizionit shtetëror ERT, në Athinë, me synimin për të hedhur poshtë politikat shtrënguese që po zbaton qeveria, si nje kusht i imponuar nga kreditorët e saj.

E ndërsa në Parlament debatohej, mijëra protestues ishin mbledhur në sheshin jashtë tij, në mbështetje të mocionit të Radikalëve të Majtë kundër qeverisë.

Top Channel