Pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i Gjilanit”, të cilët më 26 dhjetor 2008 u arrestuan nga forcat speciale serbe me urdhër të Prokurorisë serbe për Krime Lufte, janë çliruar të mërkurën nga të gjitha akuzat.

Lajmin e bën të ditur “RTK”. Procesi, i stërzgjatur me një mori dëshmitarësh të mbrojtur, përfundoi dje me lirimin e grupit të fundit të mbetur në burg, pasi një numër i konsiderueshëm i pjesëtarëve ishin liruar më herët në mungesë faktesh.

Pas më shumë se pesë vjetësh, aktakuza për krime lufte të kryera në rrethin e Gjilanit në verën e vitit 1999 ndaj serbëve dhe popullësive të tjera jo shqiptare u rrëzua.

Tani, Agush Memishi, Ferat Hajdari dhe Faton Hajdari janë rrugës për në shtëpi, konfirmoi avokati i tyre mbrojtës, Novica Zdravkoviç, i cili tha se të 11 ish-të akuzuarit u çliruarn nga përgjegjësitë që u atribuoheshin.

Fillimisht Gjykata serbe për Krime Lufte e kishte dënuar këtë grup me 116 vjet heqje lirie, duke konsideruar përgjegjës për vrasjen e 47 civilëve serbë dhe zhdukjen e 37 të tjerëve. Prokuroria i akuzonte anëtarët e grupit për krime monstruoze, por asnjë prej dëshmitarëve nuk doli të kishte të drejtë.

Top Channel