Shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Popovski ka paralajmëruar se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Kosovë, qeveritë e Shkupit dhe Prishtinës do të mbajnë një mbledhje të përbashkët.

Kjo mbledhje, që ishte parashikuar të mbahej gjatë këtij muaj në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, është shtyrë me kërkesë të palës kosovare për shkak të procesit zgjedhor në Kosovë.

“Me iniciativën tonë kemi caktuar një mbledhje të përbashkët qeveritare me Republikën e Kosovës. Kjo nismë u mor disa muaj më parë, por për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, pala kosovare kërkoi që të shtyhet ky takim pas zgjedhjeve. Mendoj, se iniciativa jonë për mbledhje të përbashkët do të realizohet menjëherë pas mbylljes së zgjedhjeve lokale në Kosovë”, ka thënë Popovski.

Këtë paralajmërim Popovski e bëri dukei iu përgjigjur deputetes së BDI-së, Ermira Mehmeti, e cila pyeti nëse së shpejti do të realizohet ndonjë takim mes kryeministrit maqedonas Nikolla Geuvski dhe atij kosovar Hashim Thaçi.

“Ministri i lavdëroi shumë raportet mes Maqedonisë dhe Kosovës dhe unë e përshëndes në emër të grupit parlamentar të BDI-së këtë frymë bashkëpunimi, që po e ndërtojmë bashkarisht në Ballkanin e pas konflikteve të përgjakshme të fundit. Mendoj se është shumë domethënës fakti që ne bashkarisht po përpiqemi që të dërgojmë mesazhe të pajtimit, tolerancës dhe bashkëpunimit”, ka thënë Mehmeti.

Kryeministi maqedonas Nikolla Gruevski deri tani nuk ka realizuar asnjë vizitë në Kosovë, ndërsa takimin e vetëm me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi e ka zhvilluar në vitin 2008 gjatë qëndrimit të Thaçit në Shkup për shënimin e 100-vjetorit të alfabetit të gjuhës shqipe.

Top Channel