“Duhet të mbështesni policinë”

17/11/2013 00:00

Pasi ka kryer trajnimin me oficerët e policisë së sektorit të kufirit, me qëllim luftën e lëndëve narkotike dhe trafikun e qenieve njerëzore, Brajen Nez, një ndër specialistët më të mirë amerikanë në këtë fushë, vlerëson se duhet një mbështetje më e madhe të drejtuesve të policisë ndaj policëve në terren për të luftuar krimin.

Sipas tij, duhen paga më të larta për policët dhe mbështetje nga vetë sistemi. Ai thotë se shqiptarët nuk duhet të presin mbështetje nga të tjerët, por vetë sistemi duhet të japë mbështetjen e duhur.

“Kjo është hera ime e parë në Shqipëri. Do thoja se kapacitetet janë dhe dëshira është aty. Ndoshta ajo që mungon janë pajisjet dhe mbështetja nga shefat e tyre. Mund të them që policët që trajnova ishin të dedikuar dhe donin të bënin punën e tyre, por nuk kanë mbështetjen e duhur sepse kanë pajisje të pakta në numër dhe nuk kanë mbështetje nga supervizorët e tyre. Një nga faktorët që u diskutua në trajnim ishte pagesa. Pagesa është faktor demotivues. Pagesa e tyre është tepër e ulët dhe kjo bën që ata të mos marrin mbështetjen e duhur në këtë drejtim. Mbështetja duhet të jetë patjetër me kapacitete dhe pajisje dhe kjo nuk duhet të vijë nga ndërkombëtarët apo nga zyra e Eksposit në Ambasadën Amerikane, por duhet të vijë mbështetja nga vetë sistemi i policisë”, shprehet Nez.
 
Nez është një specialist që trajnon policë duke i stimuluar atyre forma që ai vetë i ka dhunti të lindura që burojnë për shkak të origjinës së tij si amerikan i vjetër autokton: “Unë përdor eksperiencën time si amerikan i vjetër që jam dhe pastaj ja kaloj studentëve. Faza e parë në Shqipëri është hapja e syve dhe në këtë rast ishte në zonën ku ata operonin për të kuptuar nëse ka gjurmë në tokë që nuk duhet të ekzistonin. Këto veti i kam të lindura, por mundohem t’i nxjerr në pah dhe t’i evidentoj tek njerëzit e tjerë. Këto janë veti që kalojnë nga gjenerata në gjenaratë, nga paraardhësit tanë. Ajo që unë bëj është se nxjerr kutinë e vogël dhe i evidentoj tek studentët.”
 
Nez zbulon eskluzivisht për Top Channel vetëm një mënyrë sesi kapen trafikantët. Vetëm me gjurmë dhe mbeturina në tokë: “Diçka që mund të ndaj me ju janë gjurmët. Nga gjurmët mund të kuptojmë sesi sillet personi, mënyrën sesi ecën, çfarë i pëlqen të bëjë gjatë ecjes, lë mbeturina apo jo gjatë ecjes. Me këto mund të kuptosh shumë, por dua të ndaloj këtu dhe nuk dua të ndaj më shumë informacion. Nëse do t’i referohesha sesi veprojmë ne në Amerikë, do të thosha se në momentin që shohim hapa gjatë patrullimit, nisim gjurmimin dhe më pas përcaktojmë nëse kemi të bëjmë me trafik personash apo kontrabandë lëndësh narkotike.”
 
Specialisti amerikan shprehet se mbetet në kontakt të vazhdueshëm me ata që trajnon dhe se kanë patur rezultate të mira. Në Serbi e Bosnje, ku ka kryer më parë trajnime, ka patur aksione të suksesshme në ndalimin e kontrabandës së mallrave dhe cigareve, si edhe të narkotrafikut.

Top Channel