Francë, gjueti njeriu në Paris

19/11/2013 00:00

Një gjueti e vërtetë njeriu po vijon që prej së hënës në Paris, pasi një person i armatosur sulmoi zyrat e gazetës “Liberation” dhe hapi zjarr jashtë selisë qendrore të bankës “Societe Generale”.

Një fotograf 23-vjeçar mbeti i plagosur gjatë të shtënave në redaksinë e gazetës. Më vonë, atentatori detyroi një motoçiklist ta çonte në Champs Elysees përpara se ta linte të lirë të largohej.

Policia po kërkon për të njëjtin person që hyri me forcë në zyrat pariziene të televizionit informativ “BFM TV” ditën e premte. Ndërkohë që forca të shumta rendi janë vendosur përpara selive të mediave kryesore në kryeqytetin francez.

Në një konferencë për shtyp, hetuesit publikuan dy foto, një prej të cilave tregon të dyshuarin në rrugë, ndërsa tjetra e xhiruar nga kamerat e sigurisë në selinë e televizionit të premten.

Prokurori Francois Molins deklaroi se gjasat janë që prapa sulmeve të jetë një njeri i vetëm dhe shtoi se personi nuk është ende i identifikuar e po ashtu edhe motivet e veprimeve të tij.

Autori thuhet se është mes 35 dhe 45 vjeç, 1.7 ose 1.8 metra i gjatë, me mjekër dhe flokë gri. Prokurori Molins tha se i dyshuari ishte veshur me një xhup të zi, kapele dhe këpucë atlete me ngjyrë të bardhë dhe jeshile.

Korrespondenti i BBC në Paris thotë se ai kishte hyrë në selinë e televizionit “BFM” të premten dhe kishte zbrazur gjithë karikatorin e armës së tij tek recepsioni. “Herën tjetër nuk do shpëtosh”, i tha ai një gazetari që kërcënoi.

Top Channel