Shqiptari i Hollivudit: Krenar për vendin tim

19/11/2013 00:00

Babai i tij është nga Qerimi i Gjakovës, nëna e tij nga Mirdita, kurse ai vetë, një nga aktorët dhe producentët më të njohur të Hollivudit, Mike Dusi, ka lindur në Nju Jork.

Tregon se i ati, Zef Dusi, ka kultivuar tek ai dhe pjesa tjetër e familjes kulturën e punës. Kjo ka qenë një nga shtysat e tij kryesore për të ndjekur ëndrrën e tij.

Ka punuar si një djalë që shërben pica në dyqanin e familjes, por gjithçka në fushën e aktrimit ka nisur me mbërritjen e tij në Los Angeles, 10 vjet më parë.

Ka një jetë shumë intensive dhe çdo vit vendos qëllime të arritshme nga vetja. Është i bindur se edhe nëse do të kishte lindur në Shqipëri, asgjë nuk do ta kishte ndalur për t’u bërë një producent i suksesshëm në Hollivud.

Së fundmi, në rolin e producentit po promovon filmin e tij të ri ‘Mickey Boy’.

Është krenar që është shqiptar dhe nuk humb rast që t’ia bëjë gjithkujt të ditur këtë fakt. Thotë se nuk gjen fjalë për të falenderuar prindërit e tij për forcën dhe krenarinë që kanë përcjellë tek ai.

“Jam lindur dhe rritur në Queens të Nju Jorkut, por me origjinë jam nga Gjakova. Ndihem 100% shqiptar. Në kartëvizitën time kam shqiponjën me dy koka. Të gjithë më pyesin për të dhe unë ia shpjegoj”, thotë Mike Dusi në studion e “Pasdite në Top Channel”.

Top Channel