Numri i të papunëve në Kroaci ka kaluar sërish në nëntor shirën e 350 mijë njësive, duke e çuar kuotën pas gjashtë muajsh sërish mbi 20 për qind. Këtë e tregojnë të dhënat e Zyrës kroate të statistikave, DZS.

Krahasuar me shtatorin, numri i të papunëve është rritur me 20 mijë njësi, ndërsa krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar shifra është më e lartë me 10 mijë persona.

Rritja drastike e të papunëve në Kroaci në vetëm dy muaj vjen si pasojë e mbylljes së sezonit turistik dhe për pasojë rënia e kërkesës për punësime sezonale.

Kuota e papunësisë në radhët e të rinjve deri në moshën 25 vjeç ka arritur në Kroaci, sipas Eurostatit, në 52.8 për qind dhe është kuota e tretë më e lartë në BE, pas Greqisë dhe Spanjës.

Më herët gjatë muajit, FMN vlerësoi për Kroacinë se viti 2013 do të mbyllet me një kontraktim të mëtejshëm të GDP-së, me rreth 0.75 për qind.

Ndërsa vitin e ardhshëm do të mund të arrihet një rritje modeste vetëm nëse ekonomia do të rrisë konkurrencën në tregjet ndërkombëtare, sidomos në atë të BE-së, ku bën pjesë që prej korrikut.

FMN shprehu një vlerësim pozitiv për reformat e ndërmarra nga qeveria, sidomos në stabilitetin fiskal, shkurtimin e shpenzimeve publike dhe një seri privatizimesh, që do japin rezultate vetëm nëse intensifikohen.

Top Channel