Mjekët që punojnë në spitalet publike dhe në shërbimet sanitare të Greqisë shpesh herë duhet të punojnë mesatarisht 64 orë në javë dhe në disa raste mbi 90, pa pasur asnjë kufi maksimal ligjor.

Për këtë motiv, Komisioni Evropian ka vendosur ta padisë Greqinë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. Athina nuk respekton normativën evropiane për limitet e orarit të punës për mjekët në shërbimet shëndetësore publike.

Në veçanti, Greqia nuk garanton që mjekët të mos punojnë më shumë se 48 orë në javë, përfshirë këtu punën jashtë orarit.

Komisioni Evropian vlerëson se kjo situatë është një shkelje e rëndë e direktivave të BE-së mbi oraret e punës, që vë në rrezik jo vetëm shëndetin dhe sigurinë e doktorëve, por edhe atë të pacientëve, duke qenë se mjekët shumë të lodhur rrezikojnë të bëjnë gabime.

Ekzekutivi evropian është vënë në dijeni të shkeljes pasi ka marrë denoncime të shumta nga mjekët dhe i kishte kërkuar Greqisë të merrte masat e nevojshme për të siguruar që legjislacioni kombëtar dhe autoritetet publike të ishin në linjë me direktivën.

Por për fat të keq deri tani nuk është bërë asnjë progres dhe prej këtej ka ardhur vendimi për dërgimin e çështjes në gjykatë.

Top Channel