Të paktën 16 për qind e ailkërkuesve në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2012 dhe në gjashtë muajt të parë të 2013-ës kanë qenë në tërësi nga vendet e Ballkanit perëndimor.

Në vitet e fundit, pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Serbisë, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, kërkesa më e lartë në BE ka qenë pikërisht nga ky grup.

Bëhet fjalë për një shifër që ka kaluar atë të kërkesave që vijnë nga çdo vend tjetër i origjinës, pa marrë parasysh këtu faktin se 96 për qind e kërkesave të regjistruara në vitin 2012 janë refuzuar.

Pesë destinacionet e para në listën e vendeve pritëse janë Gjermania, Franca, Suedia, Belgjika dhe Zvicra, të ndjekura nga Hungaria, Austria, Luksemburgu, Italia, Britania, Danimarka dhe Greqia.

Kjo panoramë e situatës është paraqitur nga Zyra evropiane për mbështetjen e azilit, EASO, sipas të cilës kërkesat për azil nga vendet e Ballkanit perëndimor kanë qenë pothuajse 20 mijë në vitin 2008, për t’u ngjitur në rreth 60 mijë në 2012 dhe në mbi 30 mijë në gjysmën e parë të 2013-ës.

Numri i kërkesave varion në bazë të periudhës, me një trend në përgjithësi në rritje, ku piku më i lartë fillon të regjistrohet menjëherë përpara nisjes së stinës së dimrit.

Azilkërkuesit nga Ballkani vijnë kryesisht nga Serbia dhe Maqedonia, të ndjekur nga ata nga Shqipëria dhe Kosova. Përveç qyteteve kryesore, zonat kryesore të origjinës së fluksit duket se janë rrethinat e Kosovës, zonat në veri të Shqipërisë dhe ato në veri të Serbisë dhe Maqedonisë.

Shtetet anëtare të BE dhe ato partnere, por edhe vendet e Ballkanit perëndimor duket se kanë rënë dakord për faktin se shkak i fenomenit të azilkërkuesve janë gjendja social-ekonomike, sidomos në radhët e minorancave etnike në Serbi dhe Maqedoni.

Edhe pse qytetarët e Ballkanit përbëjnë një nga kuotat më të larta të refuzimit të kërkesave për azil, përqindja varion në bazë të vendit të origjinës, me qytetarët nga Shqipëria që kanë numrin më të lartë të vendimeve pozitive, ndërsa ata nga Maqedonia kanë më të lartin të refuzimeve.

Top Channel