Nga gjithësej 48 ambasadorë që përfaqësojnë aktualisht Maqedoninë në vende dhe organizata të ndryshme nëpër botë, vetëm katër janë shqiptarë.

Përveç këtyre të dhënave raportohet se deri në fillim të vitit të ardhshëm në Maqedoni do të kthehen para kohe 28 diplomatë profesionistë shqiptarë që aktualisht janë të angazhuar në misione diplomatike në 16 vende, me arsyetimin se kanë përfunduar mandatin.

Ndërkohë, mësohet se vetëm dy nga gjithsej 12 drejtori në Ministrinë e Jashtme në Shkup drejtohen nga zyrtarë shqiptarë. Sipas opozitës shqiptare, këto të dhëna brengosëse tregojnë se në Maqedoni nuk respektohet kuota e garantuar me Kushtetutë për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet e shtetit me 25 për qind.

“Në 48 ambasadorë ka vetëm 4 ambasadorë shqiptarë të deleguar. Dy janë serbë dhe një boshnjak, pra nga 48 ambasadorë vetëm 4 janë shqiptarë. Ndërsa në misionet konsullore, prej 8 konsujve ka vetëm 1 shqiptar dhe 1 turk. Ky është përfaqësimi real, “i drejtë” dhe adekuat i shqiptarëve në Maqedoni”, ka deklaruar deputeti i PDSH, Orhan Ibrahimi.

Ditë më parë ministri i Jashtëm maqedonas, Nikolla Popovski tha se në dikasterin e tij rreth 23% e të punësuarve janë shqiptarë, por sipas të dhënave të Avokatit të Popullit, kjo shifër nuk është më e lartë se 19,2 për qind.

Lidhur me politikën kuadrovike, nga Ministria e Jashtme shprehen se, faktor vendimtar është cilësia, aftësitë diplomatike dhe  përkushtimi profesional i kuadrove.

Nga kjo ministri më tej thonë se, në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për punë të jashtme zbatojnë parimin e përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike që jetojnë në Maqedoni.

Top Channel