Raundi i fundit i negociatave mes qeverisë greke dhe përfaqësuesve të
trojkës FMN-BE-BQE është mbyllur mbrëmjen e së mërkurës pa një
marrëveshje mbi problemet kryesore që ndajnë palët.

Të enjten, të dyja grupet janë nisur për në Bruksel për të marrë pjesë në mbledhjen e eurogrupit që zhvillohet nesër.

Ministri grek i Financave do t’i paraqesë Parlamentit bilancin 2014, që sipas burimeve zyrtare regjistron për herë të parë pas disa vitesh një tepricë prej 700 milionë eurosh.

Recesioni ekonomik në Greqi njohu një zbutje gjatë tremujorit të tretë të vitit, dëshmuan të dhënat e Instituti Grek të Statistikave “ELSTAT”.

Ekonomia helene u tkurr me diçka më pak se 3% gjatë kësaj periudhe, ndërsa parashikimet flisnin për një recesion prej 3,1%. Për Greqinë, tremujori i fundit, pavarësisht rënies së thellë, përbën semestrin më të mirë ekonomik që prej vitit 2010.

“Të dhënat janë në linjë me parashikimet tona, që reflektonin edhe impaktin pozitiv të të ardhurave të turizmit në muajt Korrik-Shtator”, deklaroi ekonomisti Platon Monokroussos.

Turizmi u garanton fqinjëve tanë jugorë 1/5 e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rivitalizimi i këtij sektori, pas një viti të dobët në 2012-n, është duke kontribuar për rimëkëmbjen e përgjithshme ekonomike të vendit.

Top Channel