Duke buzëqeshur, Ministri grek i Financave i ka dorëzuar kryetarit të parlamentit në mesditën e së enjtes projekt-buxhetin e ri për vitin 2014, bashkë me një deklaratë optimiste, ku ka theksuar se për herë të parë pas një reçensoni të gjatë prej gjashtë vitesh, parashikohet për Greqinë një sufiçit primar për këtë vit me vlerë prej 700 milion eurosh.

“Ky është një buxhet që provon se përpjekjet fiskale të bëra nga populli grek kanë sjellë frytet e duhura në mënyrë të konsiderueshme”, tha Janis Sturnaras, Ministri i Financave.

Megjithë lajmin e mirë përfaqësuesit e kreditorëve janë larguar nga Athina duke  përfunduar një tjetër cikël negociatash pa marrëveshje të plotë, kryesisht për cështjen e boshllëkut fiskal për vitet 2014-2015 dhe duke lënë ende pezull aprovimin për këstin e fundit në qershorin e vitit të ardhshëm nga paketa kolosale e ndihmës ekonomike që Greqia merr prej vitit 2010.

“Dihet tashme se në tre vitet e fundit ekonomia greke ka kaluar përmes një testi historikisht te dhimbshëm, me recesion të thellë dhe papunësi të paparë. Qytetarët kanë bërë dhe bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme si në aspektin e reformave fiskale ashtu dhe në aspektin e standardeve të jetesës”, tha Kristos Staikouras, nga Ministria greke e Financave.

Por megjithë sakrificat, sipas kreut të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem ministrat e Eurozonës po e humbasin durimin me qeverinë greke, pasi sipas tyre ende ka shumë punë për t’u bërë. Edhe “Financial Times” në artikullin e fundit cilëson si kokëfortësi  kundërshtimin e grekëve për masa të reja dhe paralajmëron Athinën se megjithë euforinë e saj për arritjen e numrit rekord të turistëve të huaj dhe sufiçitin primar, ende nuk është larguar prej saj rreziku i largimit nga Eurozona.

Nga ana tjetër edhe zëdhënësi i Komisionerit Europian për Ekonominë, Olli Rehn ka deklaruar nga Brukseli se disa prej elementeve të projekt-buxhetit të paraqitur nuk mund të jenë në fuqi pa dhënë miratimin përfaqësuesit e BE,FMN dhe BQE. Me interes për zhvillimet në vazhdim pritet takimi i së premtes në Berlin midis kancelares gjermane, Angela Merkel dhe kryeministrit grek, Andonis Samaras.

Top Channel