Kombëtarja rrezikon të luajë jashtë

21/11/2013 00:00

Ka mbërritur sot në Tiranë një delegacion i UEFA-s i cili shqetësimin kryesor duket të ketë çështjen e stadiumeve tona, ose më saktë, stadiumin ku përfaqësuesja jonë apo klubet mund të zhvillojnë një ndeshje ndërkombëtare.

Zv/sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Teodor Teodoridhis, i shoqëruar nga pjesëtarë të tjerë të grupit dhe presidenti i FSHF-së Armand Duka e sekretari Ilir Shulku, kanë takuar sot ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikollën, dhe zv/ministrin Mazniku.

Në këtë takim padyshim që thelbi ka qenë projekti i një rikonstruksioni të një stadiumi, meqë ky është më aftshkurtër, pa u lënë mënjanë edhe çështja e stadiumit të ri apo projekti shumë i rëndësishëm i kësaj ministrie për rikthimin e sportit me më shumë orë në sistemin arsimor.

Menjëherë pas takimit, Teodoridhis thekson edhe një herë se për momentin Shqipëria nuk ka asnjë stadium që plotëson kushtet e UEFA-s: “Aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë stadium që përmbush kërkesat e UEFA-s. Duhet të zgjidhim diçka për muajin shtator, kur nisin eliminatoret e Europianit. Duam që të evitojmë luajtjen e ndeshjeve jashtë. “Qemal Stafa” nuk i përmbush kërkesat, por do të bëhen disa rikonstruksione. Se ku do të bëhen këto rikonstruksione, tek “Qemal Stafa” apo në ndonjë stadium tjetër, këtë e vendos Federata dhe Ministria.”

Ndërkohë, edhe përsa i përket kërkesave për një stadium të ri, që duket shumë i vështirë në këtë periudhë krize financiare pavarësisht se po punohet për t’u ndërtuar me koncension, FSHF-ja është tërhequr disi duke kërkuar ndoshta rikonstruksionin e një stadiumi nga këto ekzistuesit. Presidenti Duka është shprehur i bindur se tashmë çështja e rikonstruksionit të një stadiumi nuk është çështje e Federatës, por kërkohet një investim i qeverisë, përndryshe, kombëtarja luan jashtë.

“FSHF-ja nuk mund të financojë dhe nuk është detyra e saj për të rikonstruktuar një stadium alternativ. Qeveria duhet të mbështesë me fonde, përndryshe nuk mund të luajmë në Shqipëri”, tha Duka.

Se cilët janë stadiumet që mund të rikonstruktohen deri në nivelin e pranueshëm, presidenti i FSHF-së shton: “Stadiumi më afër për t’u sjellë në nivelet e duhura është ai i Shkodrës, ndoshta dhe ai i Elbasanit. Duhet një investim minimal prej 1 milionë eurosh.”

Ndërkohë, përfaqësuesit e UEFA-s kanë zhvilluar më pas një takim në Prokurorinë e Përgjithshme për çështjen e trukimit të ndeshjeve, ku thelbi i takimit të grupeve të punës ka qenë vënia e një kontakti të drejtpërdrejtë të këtyre organeve.

Top Channel