“Nëse një shoqëri nuk është në gjendje të reformohet, atëherë do të jetë
e destinuar të dështojë për një kohë të gjatë. Por nëse reformohet
shumë shpejt nuk do të jetë në gjendje të mbajë peshën e efekteve të
atyre reformave”.

Kështu ka deklaruar kryeministri grek Andonis Samaras në forumin ekonomik të organizuar në Berlin nga e përditshmja gjermane “Sueddeutsche Zeitung”.

“Nuk mund të bëhen të gjitha gjërat njëherësh. Kjo mund të funksionojë me një makineri, por jo në një shoqëri të përbërë nga qytetarët”, ka vlerësuar Samaras.

Më herët gjatë vizitës në Berlin, Samaras u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila e përgëzoi kryeministrin grek për progresin që ka arritur Greqia në programin e saj. Por, në të njëjtën kohë ajo i dha atij mesazhin se Athina duhet të vazhdojë reformat dhe të mos vonojë dhe zbusë politikat e saj.

“I njoh sakrificat që kanë bërë qytetarët, por Greqia duhej të kryente reforma dhe të arrinte një stabilitet financiar dhe ja tani po shohim dritë në tunel, frytet e para të përpjekjeve të qeverisë greke, siç është arritja e një teprice primare”, deklaroi Merkel.

Nga ana e tij Samaras deklaroi se Athina ka arritur synimet e saj fiskale dhe pas disa vitesh reçesion do të shtohet fryma optimiste për progresin ekonomik dhe daljen nga kriza.

Por lideri grek nuk iu përgjigj dejtpërdrejt pyetjeve për marrëveshjet ende të panënshkruara me ekspertët e kreditorëve të huaj, që kanë braktisur Athinën për t’u kthyer përsëri në dhjetor.

Dhjetori është dhe kufiri i fundit kohor, brenda të cilit sipas zonjës Merkel, Greqia duhet të aprovojë gjithë paketën e masave para se të marrë presidencën e BE-së.

Top Channel