Në një cermoni në kryeqytetin serb me mysafir nga Rusia, ka filluar projekti që është quajtur si investimi më i madh jo vetëm për Serbinë, por edhe tërë Evropën.

Presidenti serb, Tomisllav Nikollic, ka deklaruar se Serbia do të jetë një nyje energjetike për rajonin.
 
“Fakti që me këtë projekt do të furnizohen 35 milionë shtëpi na bën të gjithë ne të ndjehemi krenar. Ky projekt do të jetë në të mirë të tërë rajonit”, theksoi Nikoliç.
 
Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka theksuar se në bisedimet në Bruksel ekziston propozimi që një degë të kalojë edhe në Kosovë, kurse Maqedonia dhe Shqipëria janë në shqyrtim të projektit. Por, sipas tij, ky projekt do të ketë rëndësi të pamohueshme.
 
“Kjo nuk është një ditë e madhe vetëm për Serbinë dhe Ballkanin, por edhe për tërë Evropën pasi rreziqet e furnizimit do të hiqen. Ky është një projekt që në tërësi do të kushtojë 16 miliardë euro”, deklaroi Daçiç.
 
Presidenti i këshillit drejtues i gjigandit rus “Gazprom”. Aleksej Miller, ka thënë se ky është moment historik: “Ky projekt do të heqë rrezikun përgjithmonë. Do të garantojë furnizim për Serbinë dhe Evropën prej 63 miliardë kub gaz në vit. Kjo e ndryshon situatën në tërë Evropën dhe bëhet lokomotivë e zhvillimit energjetik jo vetëm për Serbinë, por për tërë rajonin.“
 
Rusia, pas konflikteve të vazhdueshme me Ukrainën që shpesh e linte Evropën në bllokadë, ka vendosur ndërtimin e këtij projekti i cili nga Rusia, përmes Detit të Zi, Bullgarisë, të arrijë në Ballkan. Rrjedha Jugore apo South Stream do të bëjë furnizimin e parë komercial në vitin 2015.

Top Channel