Deputetët e parlamenteve të vendeve të Evropës jug-lindore, nga Shkupi kanë ftuar vendet anëtare të Bashkimi Evropian të ndihmojnë më tepër në tejkalimin e problemit me azilkërkuesit e rremë, numri i të cilëve vazhdimisht po shënon rritje.

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Silvana Boneva, në Konferencën e komisioneve parlamentare për eurointegrime të vendeve të përfshira në procesin e stabilizim asocimit, tha se Maqedonia ka ndërmarrë një numër të madh masash për të mos lejuar keqpërdorimin e liberalizimit të vizave.

“Për fat të keq tema që është para nesh sot është rezoluta që u soll nga Parlamenti Evropian për aktivizimin e mekanizmit për suspendimin e regjimit pa viza. Mendoj se kjo rezolutë mund të jetë kërcënim për Maqedoninë dhe vendet e rajonit, nëse realizohen parashikimet e disa deputetëve evropianë, se liberalizimi mund të keqpërdoret nga disa vende të caktuara”, deklaroi Boneva.

Ndërsa përfaqësuesit kosovarë thanë se, përkundër veprimeve konkrete që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës për t’i plotësuar kushtet e nevojshme për liberalizimin e vizave, qytetarët e këtij vendi vazhdojnë të mbeten të izoluar.

“Po presim që më 27 nëntor të kemi një qartësim të axhendës, të kemi një qartësim definitiv edhe për datën kur Kosova do të përfshihet në këtë proces. Thirrja jonë për këtë temë është që Kosova ta ketë të qartësuar rrugën e vet dhe datën, në mënyrë që ta përballojmë këtë gjendje që sot është izoluese për 2 milionë banorët e Kosovës”, deklaroi deputeti Lutfi Haziri.

Në këtë takim, ku morën pjesë përfaqësuesit e komisioneve për eurointegrime nga Parlamentet e vendeve të rajonit, kanë munguar vetëm përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë.

Top Channel