Zëvendësministri i Energjetikës Ilir Bejtja deklaron se brenda pak
ditësh në zonën naftëmbajtëse të Patos Marinzës do të instalohen
pajisjet e posaçme, që bëjnë të mundur verifikimin përfundimtar mbi
shkakun e tërmeteve.

“Duke qenë se kjo mbetej një pikë e errët, u vendos që të investohej për marrjen e një software dhe të disa stacioneve, stacionare dhe lëvizshme që do të vendosen në zonën e Patos Marinzës dhe të ndërhyhet menjëherë për gjetjen dhe shkakun e lëvizjeve”, tha Bejtja.

Zoti Bejtja thotë se gjithë procesi do të marrë një kohë nga 3 deri në 6 muaj. Sipas tij, nëse do të vërtetohet lëkundjet burojnë nga aktiviteti i kompanive koncesionare që shfrytëzojnë naftën, Qeveria do t’i detyrojë ato të dëmshpërblejnë banorët.

“Nëse shkaku është teknologjia, patjetër që burimi për shlyerjen e tyre do të jenë fondet që ne do të marrim nga dëmtuesit ose nga kompanitë që shfrytëzojnë dhe ndërkohë do të merren masa, menjëherë që të ndryshohet teknologjia, në mënyrë që të mos shkaktohet më i njëjti problem”, tha Bejtja.

Kohët e fundit fshatrat përreth zonës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës janë përballur me lëkundje të shumta sizmike, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale. Banorët akuzojnë se shkaku i tyre lidhet me aktivitetin e kompanive të naftës, por këto të fundit e mohojnë.    

Top Channel