Me rastin e 101-vjetorit të Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar, në Zajaz të Kërçovës u inaugurua Qendra Përkujtimore “Nëna Shqiptare” që u ngrit për nder të viktimave të këtij rajoni nga Luftërat Ballkanike.

Në këtë kompleks memorial që shtrihet në një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katror, do të rivarrosen eshtrat e rreth 300 shqiptarëve të masakruar një shekull më parë nga ushtria serbe.

Në fjalën që mbajti gjatë hapjes së qendrës përkujtimore,  kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se shtetet që kanë kryer këto masakra duhet t’i kërkojnë falje shqiptarëve.

“Kjo që bëjmë sot është një apel dhe thirrje që të gjithë ata popuj, të gjithë ato shtete që kanë ushtruar gjenocid dhe kanë shfarrosur fshatra të tëra me shqiptarë, të reflektojnë, të kërkojnë falje sepse ne jemi ata që duam të ndërtojmë të ardhme të sigurtë për gjeneratat që vijnë pas nesh”, tha Ali Ahmeti lider i BDI-së.

Ahmeti, më tej i uroi të gjithë shqiptarëve 28 Nëntorin, ndërsa  ftoi bashkëqytetarët maqedonas të mos provokohen nga flamuri shqiptarë.

“Asesi nuk duhet të jetë pengesë për bashkëqytetarët tanë maqedonas ngritja e këtyre përmendoreve, shtatoreve dhe valvitja e këtij flamuri kombëtar, sepse ky flamur, nuk është as i Shqipërisë, as i Kosovës, as i shqiptarëve të Maqedonisë, ky flamur është flamur i kombit shqiptar i cili nëpër dekada është larë me gjak”, deklaroi kreu i BDI-së.

Kreu i BDI-së, tha se Qendra Memoriale në Zajaz të Kërçovës nuk është e drejtuar kundër askujt, pasi shqiptarët gjithmonë kanë kontribuar për paqen dhe asnjëherë nuk kanë ngritur aleanca për zhdukjen e kombeve.

Top Channel