“Fiks Fare”: Pazaret në Gjykatën e Lartë

28/11/2013 00:00

“Fiks Fare” zbardh strukturën e funksionimit të korrupsionit në Gjyqësorin shqiptar. Me zë dhe figurë u treguan të gjithë personat, që merrnin parà dhe premtonin lirimin e të pandehurit. Një strukturë kjo, që funksionon më së miri dhe që finalizohet me lirimin e të arrestuarit të pestë, për ngjarjen e 19 prillit në Fushë Arrëz.

Pas daljes nga burgu të një prej 6 të arrestuarve, të cilin e keni ndjekur këto ditë me figurë e audio në “Fiks Fare”, mbrëmë u transmetuan të tjera detaje dhe pazare për një tjetër të arrestuar.

Risi, e kalvarit të gjatë dyerve të drejtësisë për drejtësi, ishte dalja në skenë e pagesës prej 6 mijë eurosh, apo 840 mijë lekëve (të reja), e kërkuar nga sekseri Dëfrim Premçi dhe avokati Fran Dashi, në emër të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.

Këta dy persona premtojnë lirimin e të pandehurit A. Ndoka, i cili kishte bërë rekurs për ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Lartë. Shuma prej 6 mijë eurosh kërkohet nga këta dy persona, për pesë anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës së Lartë.

Gjatë kësaj bisede, babai i të pandehurit këmbëngul të dijë emrin e gjyqtarit, që do t’i garantojë lirinë për djalin e tij.

Dëfrim Prençi dhe avokati Fran Dashi i garantojnë daljen e djalit nga burgu, duke folur ne emër të kryetarit të Gjykatës së Lartë, z. Xhezair Zaganjorit. Për të justifikuar shumën e madhe të parave që marrin, ata tregojnë edhe skemën se si do të shpërndahen këto parà tek anëtarët e trupit gjykues të Gjykatës së Lartë. Sipas sekserit Prençi, 2 mijë euro do t’i marrë kryesuesi i trupit gjykues, pra z. Zaganjori, dhe nga 1 mijë euro, katër anëtarët e tjerë të trupit gjykues.

Më pas, Dëfrim Prençi e lidh babain e të pandehurit me një tjetër avokat, Fariz Xhuxhin. Edhe prej këtij avokati, ai merr premtimin e lirimit të djalit nga burgu, por më parë – sipas Xhuxhit – gjyqtarët kërkojnë garancinë, që nuk do të ndodhë më asnjë konflikt mes të pandehurit dhe përfaqësuesve të kompanisë “Beralb”.

Pas sorollatjes nëpër sekserë, babai i të pandehurit drejtohet për në Sekretarinë e Gjykatës së Lartë, ku mëson se rekursi për ndryshimin e masës së sigurisë nuk ishte pranuar nga Gjykata e Lartë dhe se në Pukë filloi procesi gjyqësor për djalin e tij.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Pukës, nga po i njëjti gjyqtar, Shtjefën Lleshi, është zhvilluar seancë gjyqësore për lirimin e të arrestuarit të pestë të ngjarjes së 19 prillit në Fushë Arrëz.

Pas pagesës së 500 000 lekëve, më në fund, edhe i arrestuari i pestë sheh dritën e diellit. Shuma e kërkuar nga gjykatësi dhe nga prokurori, tashmë kalojnë nëpër të tjera hallka, deri në dorëzimin e fundit. Nuk dalin nga skena sekretarja dhe kancelarja, të cilat kanë kërkuar në emër të shefit të tyre 250 000 dhe 50 000 për veten e tyre. Por, paratë për gjyqtarin, kësaj radhe në euro, 1800 euro, janë dorëzuar nga bashkëshortja dhe djali i të pandehurit.

Kurse për prokurorin Pëllumb Prençi është futur në lojë miku i tij nga Lezha, Nard Mardoda, jurist në burgun e Shën Kollit. Në bisedën me familjarët e të arrestuarit të pestë, juristi Mardoda garanton ata, se pas pagesës që ata duhet të bënin, së shpejti do ta kishin në shtëpi të afërmin e tyre. Vetë djali i të arrestuarit ka bërë pagesën, ku ka dhënë 250 000 lekë të tjera te juristi i burgut të Shën Kollit, kjo pjesa e prokurorit. Pas marrjes së lekëve është caktuar dita e gjyqit. Më 1 tetor 2013 është gjyqtari Shtjefën Lleshi, ai që ka ndryshuar masën e sigurisë për të pandehurin D. Ndoka, nga arrest në burg pa afat, në detyrim për paraqitje.

Investigimi i “Fiks Fare” ka vazhduar me dëshminë e dy të arrestuarëve të tjerë, në protestën kundër veprimeve të kompanisë “Beralb”, në Fushë Arrëz. Ata kanë pohuar me gojën e tyre, se kanë paguar njëri 600 mijë lek dhe tjetri 500 mijë lek, për të rifituar lirinë. Gjyqtari dhe prokurori, ku ata kanë dorëzuar paratë për të fituar lirinë, ishin të njëjtët, kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë të Pukës, Shtjefën Lleshi, dhe prokurori Pëllumb Prençi.

“Nuk do të më korruptojnë asnjëherë”
Zaganjori: Nuk i njoh personat, s’ndikohem nga mashtrues, krimba apo sekserë

Pas transmetimit të pamjeve dhe bisedave të regjistruara në “Fiks Fare”, reagoi kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

Ai thotë se vlerëson shumë përpjekjet e emisionit “Fiks Fare” për të luftuar korrupsionin në drejtësi, por shpreh indinjatën e thellë për përmendjen e emrit të tij nga dy persona, që jo vetëm nuk i ka takuar kurrë ndonjëherë, por që për herë të parë ua dëgjoi edhe emrin.

Zoti Zaganjori thekson se, siguron çdo qytetar, se në të gjithë punën dhe veprimtarinë e tij si Kryetar i Gjykatës së Lartë nuk do të mund të ndikohet asnjëherë nga mashtrues, krimba apo sekserë, të cilët nuk do të kenë rastin kurrë ta korruptojnë, edhe për problemin më të vogël, në ushtrimin e funksioneve të tij kushtetuese dhe ligjore.

Kryetari i Gjykatës së Lartë i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për zbulimin dhe dënimin e të gjithë personave të përfshirë në aktet korruptive të përmendura në programet në fjalë. Ai fton median dhe çdo qytetar, që të denoncojnë me forcë çdo akt korruptiv në fushën e drejtësisë.

Kryetari i Gjykatës së Lartë shpreh angazhimin e tij maksimal për të luftuar me forcë këtë fenomen të shëmtuar dhe shumë të dëmshëm për shtetin dhe shoqërinë shqiptare.

Biseda me Dëfrim Prençin dhe avokatin Fran Dashi

Sekseri – Më tha mua, unë dua kaq lek për ta mbyllur punën. Më caktoi afat. Më tha janë pesë gjyqtarë. Kryetari i seancës don 2 mijë euro, katër të tjerët duan nga 1000 euro, ose unë nuk merrem me këtë punë. Ose unë më tha ta mbaroj punën brenda javës, ta nxjerr djalin jashtë. Duan kaq lekë. I thashë unë do bëj llafe menjëherë me të në darkë, të sjell përgjigjen në mëngjes.
Qytetari – Për sot, për sonte?
Sekseri – I thashë ta sjell llafin me të sonte, nesër në mëngjes vij e të them, po ose jo. Si t’i thosha?
Qytetari – Fiks të kërkuan?
Sekseri – 6000 euro. Kryetari i seancës donte 2000 euro, katër të tjerët nga 1000 euro, për zotin. Ta mbaroi, prandaj të thashë ty se…
Qytetari – E bisedove ti sot këtë punë, mirë.
Sekseri – Tani në darkë më ka kthyer përgjigje, se a të thashë se më rrejti ai i Shkodrës. Ai shkodrani, që më tha e kam kushëri, më rrejti.
Qytetari – Gjyqtarin?
Qytetari – Shiko se unë kam bërë 5 milionë lek, sipas llafit domethënë.
Sekseri – Ata më kanë kërkuar 6000 euro fiks, me mbaruar punë. Ose unë a të thashë, të sjellë lekët dhe të merret tjetër kush me atë punë. Më kanë kërkuar 6000 euro. 2000 euro drejtuesi i seancës dhe nga 1000 euro gjyqtarët. Pesë gjyqtarë e gjykokan.
Avokati – Dihet se gjykohet me pesë.
Sekseri – 2000 euro kërkonte drejtuesi i seancës.
Avokati – Eshtë Tiranë këtu.
Sekseri – Për zotin. As nuk u bënte llaf, llafi i parë.
Qytetari – Po tani kush e ka çeshtjen?
Avokati – Xhezair Zaganjori, ai është kryetar i Gjykatës Lartë.

Sekseri – Xhezairi mo burrë, ai është kryetar i Gjykatës së Lartë. Kam fol me të.
Avokati – I gjen njeri atij?
Qytetari – Ke fol me të sot.
Sekseri – Po si more, me të, tani më ka kthyer përgjigjen.

Sekseri – Unë nesër me sjell lekët, brënda javës ai e nxjerr çunin
Qytetari – Iku ajo punë, unë sonte të dorëzoj 5 milionshin. Megjithëse 2 milionë e 700 000 t’i kam dhënë.
Sekseri – Po, po, i kam unë ato.
Qytetari – Ashtu de, megjithë 2 milionë e 700 000, 500 000 janë të tuat.
Avokati – A ban me më dëgjue mua?
Qytetari – Po.
Avokati – Çfarë do me i lën këtij, leja në fund.
Qytetari – Një 500 000-she jam duke ia dhënë, i kam premtuar 700 000 mos harro.
Avokati – 500 000 ke për t’ia dhënë.
Sekseri – Me atë pazar, që më kanë thënë ata, unë nuk dua edhe pesë lekë. Për mik, me makinën time do ja fus naftë, dhe do shkojmë një natë te shtëpia… I kam 2 700 000 lek te shtëpia, janë 400 dollarë e lekë të tjera, të shkoj e t’i marr në çantë e t’i sjell këtu?
Qytetari – Nuk më duhet gjë mua.

Avokati – Sa lek ke sjellë o Pal sonte?
Qytetari – Sonte kam sjellë 2 milionë e 800 000. 800 000 kam nejt duke i mbledh, e 2 milionë e 700 bëjnë pesë milionë e pesëqind.
Sekseri – Ia lashë ato aty, i thashë mbaji këtu i rashë, nesër vij e të them po ose jo.
Qytetari – Iku ajo punë.
Avokati – Shiko tani, shiko tani një sekondë. Sa lekë the se i ke lënë, the 2 milionë…?
Qytetari – 2 milionë e 700 000.
Avokati – Hiqja 500 000. Dy milionë e dyqind mijë.
Qytetari – 2 milion e 700 000 i kam dhënë dhe 2 milion e 800 000 i kam sonte, bëjnë 5 milionë e 500 000.
Avokati – 500 000 lekshin që do me i dhënë këtij, e ke llogaritur këtu?
Qytetari – Po, Po, tash e kam llogaritur, do marr lekët e avokatit e do i kaloj këtej.
Sekseri – Nuk dua asnjë lek. Jam duke të thënë këtu, para këtij burrit.
Avokati – Edhe sa ke me i dhënë me bërë 6 000 euro? Nuk je i pa shkollë, je inxhinier me shkollë të lartë.
Qytetari – Gjashtë mijë euro, 6 X 4 = 24, tash unë kam me dhënë. Domethënë 8 milionë e 400 000 lek. Unë 5 milionë e 500 000 i kam plotësuar. Tani plotësoj edhe… i takon 3 milionë lek.
Sekseri – 2 milionë e 700 000 lek i kam te shtëpia.
Qytetari – Po dhe 2 milionë e 800 000 me t’i dhënë sonte, bëjnë 5 milionë e 500
Sekseri – 5 milionë e 500
Qytetari – Po shkoj t’i marr te makina.
Sekseri – Bukur.
Qytetari – Shkoj t’i marr te makina t’i sjell. Dhe mbyllet ajo punë.
Sekseri – 5 milionë e 500 000 dhe sa duhen?
Avokati – Edhe 3.
Qytetari – Edhe 3 fiks. Edhe me kry pazarin, mbrapa të kam borxh ty unë.
Sekseri – Mo të kryej pazarin…
Avokati – Ik shko e merri te makina.

Qytetari – Numëroi se kam lëvizur me to. Numëroi amanet.
Avokati – A i ke numëruar?
Qytetari – Nore tënden, lekët numërohen.
Sekseri – Hë mor burrë numëroi në tavolinë.
Avokati – 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, …, 15, 16, 17 (vazhdon të numërojë lekët).
Avokati – Na e numëroi vet. Numëroi vet nuk di me i numëru.
Qytetari – Unë e di se janë 50 eee…
Avokati – Ke edhe do pesëdhjetëshe e do dhjetëshe.
Qytetari – Janë 50 more
Avokati – Ke edhe do dhjetëshe.
Qytetari – Jo or ti.
Avokati – aaa.
Sekseri – Numëron lekët , 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8, 9, 10, …, 58, … dy milionë e tetëqind mijë.
Qytetari – 2 800 000.
Sekseri – Po, po
Qytetari – 2 800 000 dhe 2 700 000, a bëjn 5 500 000. Tani të kam borxh edhe sa thua ti
Avokati – 3 milionë.
Qyetari – Fiks 3 milionë. Jo e lamë sa është 1 pikë…
Avokati – Jo 3 milionë jo, po ke 1 900 000 lek fiks
Sekseri – Kush mo.
Avokati – 2 900 000.
Sekseri – Po, 2 900 000.
Avokati – Dhe bëjnë 8 milionë e 400 000 lek, shkojmë e thyejmë eurot
Qytetari – E shumta pasnesër t’i sjell unë, e shumta nesër ia dërgon t’i.
Avokati – I di vet punët e veta.
Qytetari – Po të jetë i garantuar mor burrë.
Avokati – Ne dona mu liri, a shkon sot a shkon nesër nuk duam t’i dimë, ne duam të na lirohet me vendim të Gjykatës së Lartë. Autorizimin e kemi, si nuk ka nevojë me u paraqit djali

Dita e dytë me sekserin për plotësimin e 8,4 milionë lekëve.

Qytetari – Numëroi më mirë vet. Numëroi më mirë vet. Një njëqind përqind mendoj se e ke të hequr mesa di unë. Jo 99% e ke një të hequr, i kam hedhur naftë makinës.
Qytetari – Sa janë?
Sekseri – 2 milionë e 950 000.
Qytetari – Sa?
Sekseri – 2 950 000 lek.
Avokati – Dy milionë e 950 000.
Qytetari – 2, 4, 6.
Sekseri  – Ke të më thyesh një, dy, dhjetëmijshe?
Qytetari – Jo lëre 10 000 lekëshin.
Avokati – S’kam.
Sekseri – S’kam as unë.
Qytetari – Pi një kafe, sikurse i takon.

Avokati – Ti e ke mbaruar punën tënde.
Qytetari – Domethënë 5 milionë e 500 000 të kam dhënë radhën e parë.
Sekseri – Tetë milionë e gjysmë.
Qytetari – 100 000 lekë t’i bëftë zoti hallall, të kam borxh prap për ty, atyre të tjerëve nuk u kam borxh më.
Sekseri – Ishalla.

Qytetari – Se vë në dyshim. Ai njëri nga gjyqtarët është, mos qoftë…
Avokati – Kryetari.
Qytetari – Vet.
Avokati – Kryetari gjykatës.
Sekseri – A të mos futemi në atë punë?
Sekseri – Më vjen keq, u shpenzove nuk kam se ç’të bëj.
Avukati – O ky është duke shpenzuar në vend të vet, jo në Tiranë.
Qytetari – Unë isha përgatitur për 5, kur më tha se më duhen këtë treshin, e kam nxjerr si me zor, po m’u treguan burra njerëzit. Unë njërit ia kam marrë për dy muaj, tjetrit për gjashtë muaj.

Biseda me juristin e burgut të Shën Kollit, Nard Mardoda

Juristi – Ai më tha Pëllumbin e ke 100%, si me qenë ti, prokurori më tha mua. Se ç’ka bërë ai muhabet me këtë, me këta, me ata, mua s’më intereson fare. Mua t’më thojë Pali, që ku është Pali me ndal, unë e kam lodh, e kam lodh fort, vim e vim e vim ai të lodh. Ai më ka marrë në telefon, Zoti ta falt, që du me të taku
Qytetari – Sot
Juristi – Nji tash mor, shkoj gjysmë ore që e kam taku, një gjysmë ore për Kish të Laçit, një gjysmë ore s’ka. Unë kam qenë 5 e gjysmë jashtë, sa jam futur në shtëpi, jam zhveshur, më ke marrë ti në telefon. E më tha mua, kjo nuk do shkojë në asnji vend tjetër 100%. Do letra i kam unë në dosje, do letra i ka avokati, ame ajo si e ka emrin çertifikatë familjare, do letra t’i bie unë i thashë për sjellje të mirë e njëra tjetra i përpunon Saimiri atje tek unë dhe mu në kapi t’i, Pëllumbin e ke 100% tha, për situatën më ke thënë se është dakord.
Qytetari – Po
Juristi – Kaq më tha. Tash kur të duash fol me Bardhën
Qytetari – Me Bardhën flasim, se kemi për me nda punën e lekëve…  A t’i marri… Lekët t’ia çojmë gjykatësit, a më dëgjon, unë i kam dhënë djalit 5 milionë (të vjetra)
Juristi – Ai më tha mu që, Pllumbi më tha se mua më pati thënë ai, që gjyqtari është ok, dmth ka thënë gjyqtari që i kam liru tre vet, këta do i merren Pëllumbit unë ia liroj. Tash merri vet masat ti, se kush është gjyqtari.
Qytetari – Tashi unë kam pru djalin e vogël me lekët
Juristi – Jo mor burrë, s’ke nevojë, unë i kam të garantuara si të vllait
Qytetari – Po shumë bukur
Juristi – Po nuk merr lekët atje pa dalë jashtë.
Qytetari – Jam tu ia dhënë, jam tu ia dhënë para
Juristi – Më dëgjo mua re burr, me mua e ke të garantume këtë, fshije nga memoria. E bën kërkesën qysh nesër në orën 8, ia plas në gjykatë. Nga vendimi gjyqtarit, që kena bërë dje, ke për t’ia hequr

Juristi – Po, e di, e di
Qytetari – Vetëm se gjyqtarët janë ble tash
Juristi – E di, e di
Juristi – Si do me e nda këtë punë, do me e mbaru krejt vet dhe këtë 5-shen në dorë dhe ta bëftë Zoti mbarë, edhe me e dit vetëm unë e Zoti në qiell, apo don me mbaru gjysmë për gjysmë me gjyqtarin. Gjysmë për gjysmë. Hajde bujrum ta marrsha të keqen, nxirreni përjashta, hajde liroje. Ti iu the gjysmë për gjysmë , gjusmë ti e gjysmë prap ti, me ia dhënë Palit në dorë, e ti jep Pali me kredi.
Juristi – Palin, Palin… Hajde me këtë kërkesën e prokurorisë, gjykatës, top aty. Të hënën nxirret për short ai prokurori dhe brenda asaj dite, një javë më vonë, me ardh te shtëpia burri i huaj.
Juristi – …Pllumbin e ke 100% or ti…
Djali i të pandehurit –  Çfarë kemi me fol më.
Juristi – Unë kam nevojë me më sqaru këtë, do e marrësh krejt për sipër, apo do e marrësh gjysmë për gjysmë? Gjysmë këtej e gjysmë prokurori, ai gjyqtari. Më thua gjysmë për gjysmë, je shok i imi, po m’ke inat
Qytetari – Iku
Juristi – Unë shkoj e i them, ja ku i ke paret, bëhet gjë

Biseda me bashkëshorten e të arrestuarit, që u lirua pasi u paguan 500 mijë lekë

Qytetarja – Për të rregulluar këtë punë, kanë kërkuar nga 500 000 lekë, 250 000 njëra, 250 000 tjetra, për person (sekretarja dhe kancelarja). Pesë i ka marrë ai, për tre që ia kam dhënë unë, jam në gjendje si i thonë… Liljana ka bërë be në kryet e fëmijëve dhe në kryet e djalit të vet. Ja kam dhënë në dorë. O mua më ka futur brenda. Më ka thënë Bardha te Shtjefni. Më ka thënë hyr, jepi dorën Shtjefnit, thuaji falemnderit, pesë milionë i ke marrë. Kam qënë vet kur ka marrë pesë milionshin dhe ka hyrë direkt. Atë ditë, që ka dal Dedë Ndoka prej burgut, kam qenë me Julin, kanë marrë nga 150 euro për shoqe dhe më kanë kthyer mua 10 000 lekë, mi kanë kthyer në dorë. S’e kanë marrë 500 000 lekshin për Dedën (bëhet fjalë për lekët që merrnin kancelarja dhe sekretarja). Pese milionshi ka ikur te vendi.

Biseda me djalin e të arrestuarit

Djali i të arrestuarit – Kërkesën e futi, e fut të premten jo sot. Me e ba sot, i bie për të dielën, të dielën nuk mundet ta bëjë. E fut të premten, ndoshta për të martën.
Qytetari – Tash për punën e lekëve?
Djali i të arrestuarit – Duhet halla se nuk bën robt.
Qytetari – Kujt do ia dërgojë halla lekët.
Djali i të arrestuarit – Vet Shtjefnit.
Qytetari – Vetë.
Djali i të arrestuarit –  Po, vet Shtjefnit
Qytetari – Kështu tha sekretarja, me ia dërguar vet Shtjefnit ë?
Djali i të arrestuarit – Po, Po
Qytetari – Po tani Nardi?
Djali i të arrestuarit – Kur të vijë në Lezhë, më tha të bëj telefon vet. Veç në telefon, më tha vet, ma ndaj gjysmën a dëgjon.
Qytetari – Tha ndaj gjysmën e lekëve?
Djali i të arrestuarit – Po. Ma ndaj gjysmën më tha, i thashë po, po. Hajd tha nuk mundet të flas më, kaq.
Qytetari – Tani lekët e Nardit a i ke? A ke dy e gjysmë, a sa ke?
Djali i të arrestuarit – Jo unë kam lekët e Shtjefnit e më duhen edhe 20 000 lek, se i pata marr për punët e fëmijëve të shkollës.
Qytetari – Me ba dy milionë e gjysmë.
Djali i të arrestuarit – Po, po fiks. 20 000 më duhen po.
Qytatri – Po tani a don me ia dhënë Nardit, të iki për Shkodër, t’ia dërgojë (prokurori me banim në Shkodër)
Djali i të arrestuarit – Jam duke ia dhënë lekët Nardit. Po, po Nardit jam duke i thënë ditën e premte futet kërkesa, jam duke i thënë ja ku i ke lekët babush, dërgoja kur të duash ti. Ditën e premte futen letrat për të martën ke gjyqin.
Qytetari – Me e nxjerr të pafajshëm?
Djali i të arrestuarit – Fjalët ashtu i kena
Qytetari – A të ka thënë Nardi?
Djali i të arrestuarit – Aaa?
Qytetari – A të ka thënë Nardi?
Djali i të arrestuarit – Jo, Pëllumbi. Pëllumbi, ne nuk dimë gjë…
Qytetarët – Lekët këtyre, sekretares?
Djali i të arrestuarit – Jua kam ndarë
Qytetari – 25 000 njërës, 25 000 tjetrës.
Djali i të arrestuarit – Po, po. Ma Shtjefnit i kam ndarë 1800 euro, Shtjefnit 1 800 euro.
Qytetari – Tash sa ke mangët ti?
Djali i të arrestuarit – 20 000 lek.
Qytetari – Edhe 20 000 lek, në rregull. Na atë, ta plotësoj unë.
Djali i të arrestuarit – Për atë të thashë.
Qytetari – Urdhëro 5000, 10 000, 15 000, 20 000. Lekët jepja sonte.
Qytetari – Lekët jepja sonte.
Djali i të arrestuarit – Po ishalla
Djali i të arrestuarit – Mbaroi.

Biseda me dy të arrestuar në protestën e Fushë Arrëzit, të cilët kanë paguar parà për t’u liruar

Qytetari 1 – Mua më ka shkuar si tepër.
Qytetari – Pse sa të shkoi ty?
Qytetari 1 – 6 milionë prandaj dola për dy muaj. Dy muaj e pesë ditë… Dëgjo mua, sa të kanë kërkuar për Arjanin.
Qytetari – Më kanë kërkuar 5,5 milionë… Sa fiks (lek të kanë marrë)
Qytetari 1 – 6
Qytetari – 6 milionë
Qytetari 1 – Po
Qytetari – Shumë
Qytetari 1 – Po kam qenë një unë… Ty ndoshta të kanë marrë më pak, po ke qenë veti i pestë, veti i gjashtë.
Qytetari – Pesë e gjysmë.
Qytetari 1 – Jo mo, nuk të kanë marrë shumë.
Qytetari – A të kanë marrë 6 ty?
Qytetari 1 – Po.
Qytetari – Prokurori 3, e Shtjefni 3
Qytetari 1 – I kanë nda, ku di gjë unë.
Qyetari – Kë pate gjetur për t’ua dërguar?
Qytetari 1 – Unë nuk e pata gjetut, e pati gjetutt tjetër kush. E pati gjetur Jetmiri, a të pata thënë një herë more burrë.
Qytetari – A, Jetmir Çafa. Me prokurorin ëëë?
Qytetari 1 – Jo, me gjykatësin.
Qytetari – Me Shtjefnin?
Qytetari 1 – Bën me shenjë me kokë, duke pohuar.

Qytetari – Sa ke dhënë ti fiks?
Qytetari 2 – Kaq, fiks pesë.
Qytetari – 5 milionë?
Qytetari 2 – Po. Për Kish të Laçit, na pin gjakun o Pal. Për Kishë të Shën Ndout, komplet borxh. Kam pesë milionë lek borxh, ku kam me i marrë.

Top Channel