Renditja e FIFA-s, Shqipëria +1 pozicion

29/11/2013 05:00

Kualifikueset për Botërorin “Brazil 2014”, gjatë së cilave u zhvilluan 820 ndeshje në total, kanë sjellë një situatë shumë më të ngushtë në krye të renditjes së FIFA-s për muajin nëntor, edhe pse kreu ka mbetur sërish i pandryshuar, me Spanjën që udhëheq kryesimin, duke lënë Gjermaninë, Argjentinën dhe Kolumbinë pas vetes.

Falë dy fitoreve të saj kundër Suedisë, në “play-off”-et e Europës, Portugalia ka arritur të sigurojë vendin e 5 të renditjes, duke u rikthyer kështu në “Top 10”, së bashku me organizatorët e kampionatit të ardhshëm botëror, Brazilin, që nga ana e tyre fituan ndeshjen miqësore ndaj Honduras (i 41-ti, 7 më poshtë) dhe Kilit (i 15-ti, 3 më poshtë), duke zënë vendin e fundit mes 10 më të mirëve.

Belgjika zbret në vendin e 11-të, 6 vende më poshtë se sa një muaj më parë, ndërsa 3 vende ka humbur edhe Anglia, duke u renditur e 13-ta për nëntorin, edhe pse të dyja këto kombëtare kanë pasur fate të njëjta, pasi mbetën të pamposhtura në kualifikueset e Botërorit, por humbën në dy ndeshjet miqësore në fushat e tyre.

Të gjithë ekipet e 20 vendeve të para, përveç Ukrainës (e 18-ta, ngjitet me 2 vende), kanë siguruar pjesëmarrjen e tyre në Brazil vitin e ardhshëm, ndërkohë që vetëm 3 ekipe të tjera ndër 50 të parat, kanë realizuar ëndrrat e tyre për shfaqjen më të madhe sportive të 2014-s: respektivisht Kameruni (i 51-ti, 8 vende më sipër), Korea e Jugut (e 54-ta, 2 më sipër) dhe Australia (e 59-ta, 2 më poshtë).

Sa i përket ekipit tonë përfaqësues, kuqezinjtë e Shqipërisë të drejtuar nga De Biasi janë ngjitur me 1 pozicion nga muaji i kaluar, tashmë në vendin e 57, me 571 pikë të grumbulluara.

Armenia (34), Venezuela (35), Afganistani (129), Filipinet (133) dhe Guami (169) kanë arritur pozicionet e tyre më ta larta në historinë e renditjes së FIFA-s, që prej 1993 kur u lançua ky sistem.

Renditja e FIFA-s për Nëntorin, 20 vendet e para

Kombëtarja       Pikët

1. Spanjë        1 507
2. Gjermani     1 318
3. Argjentinë    1 251
4. Kolumbi      1 200
5. Portugali     1 172
6. Uruguaj       1 132
7. Itali            1 120
8. Zvicër          1 113
9. Holandë      1 106
10. Brazil         1 102
11. Belgjikë     1 098
12. Greqi         1 055
13. Angli          1 041
14. SHBA         1 019
15. Kili             1 014
16. Kroaci            971
17. Bregu i F.       918
18. Ukrainë         907
19. Francë           893
20. Meksikë         892

Top Channel