Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në opozitë, Menduh Thaçi, duke folur për mungesën e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, e ka krahasuar politikën e partnerëve të koalicionit qeveritar në Shkup me regjimin e Sllobodan Millosheviçit në Kosovë.

“E dini çfarë dallimi ka mes kohës së Millosheviçit dhe vuajtjeve të kosovarëve dhe mes regjimit të tanishëm të Gruevskit dhe Ahmetit dhe vuatjeve të shqiptarëve të Maqedonisë? Atëherë në Kosovë nuk kishte asnjë shqiptar që thoshte se është mirë, tani ka disa shqiptarë në Maqedoni që thonë se është mirë. Por, fatmirësisht shumë faktorë të rëndësishëm, duke filluar nga SHBA-të, BE-ja, Shqipëria dhe Kosova, të gjithë jemi me një zë, siç thotë PDSH-ja, aspak nuk është mirë”, ka deklaruar Thaçi.

Kreu i PDSH-së ka komentuar edhe hapjen e Memorialit Përkujtimor në Kërçovë nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti, duke akuzuar atë se ka harruar varret e shqiptarëve që u hapën gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni.

“Ata kanë menduar se kanë kryer punë me ne, kanë prodhuar një gjeneratë vitruale të manipuluesve, të cilët sot kanë ikur në histori për të festuar diçka mbi varre të vjetra 100 vjet, i harruan ata varret e reja që i hapën në Likovë dhe Kumanovë, i harruan ato varre që i hapi politika e mbrapshtë e tyre”, ka thënë Thaçi.

Thaçi u dërgoi edhe një porosi zyrtarëve maqedonas, duke i ftuar ata që të krijojnë një marrëveshje të re bashkëpunimi me shqiptarët, për një shtet të përbashkët, ku të gjithë do të jenë të barabartë.

Top Channel