Qendrat e votimit u hapën në Kroaci, për referendumin e shumëdiskutuar të martesave mes personave të të njëjtit seks.

Zgjedhësit do të vendosnin për aprovimin ose jo të ndryshimeve të bëra në Kushtetutën vendase, në mënyrë që martesa të përcaktohet qartazi, si bashkim mes një burri dhe një gruaje.

Por, të shtunën, me qindra mbështetës të të drejtave të homoseksualëve protestuan në rrugët e Zagrebit kundër referendumit, që u mbështet nga ana tjetër me 700.000 firma, në peticionin e hartuar nga një grupim katolik.

Pyetja në letrën e votimit ishte: A pajtoheni me idenë e martesës, si bashkim i gruas dhe burrit?

Nëse rezultati i nismës do të rezultonte një shumicë votash “pro”, siç edhe raportohet nga rezultatet paraprake te sondazheve, atëherë Kushtetuta kroate do të amendohet në mënyrë të tillë, që t’i ndalojë martesat gay.

Sondazhet e opinionit para referendumit tregouan se, me të gjithë gjasat, 59% e kroatëve do t’i thoshin “po”, ndërsa “kundër” do të ishin vetëm 31%.

Gati 90% e popullsisë së vendit me 4,4 milionë banorë, që në muajin korrik u bë anëtari i 28-të i Bashkimit Europian, janë romano-katolikë dhe kisha ka bërë thirrje me forcë, që vota në këtë referendum të jetë “po”.

Qeveria, grupet e të drejtave dhe figura të njohura publike, që të gjithë kanë ngritur zërin kundër referendumit, duke i nxitur njerëzit të thonë “jo”.

Gjatë paradës së parë të homoseksualëve, të mbajtur në Zagreb në 2002, me dhjetra pjesëmarrës u rrahën nga ekstremistët, por gjërat kanë nisur ngadalë të ndryshojnë, sidomos pas afrimit me BE-në dhe, tashmë, evente të tilla mbahen rregullisht, edhe pse nën një prani të rreptë policore.

Top Channel