Një sondazh për opinionin publik, i kryer nga kompania “Kapa Research” për llogari të gazetës “To Vima”, ka treguar një risi që mund të ndryshojë skenarin politik të Greqisë.

Por në të njëjtën kohë, anketa ka konfirmuar një ekuilibër të forcave të dy partive më të mëdha politike të shtetit helen.

Të paktën 46 për qind e të intervistuarve janë përgjigjur se do të mirëprisnin krijimin e një force të re politike në arenën e qendrës së majtë, të formuar mes PASOK, Demokracisë së Majtë (DIMAR) dhe fraksioneve të tjera të këtij krahu.

Në këtë rast, 28 për qind e të intervistuarve kanë deklaruar se në zgjedhjet për Parlamentin Evropian që mbahen në muajin maj do të votonin për partinë e re.

Përsa i përket forcave politike në fushë, në bazë të rezultateve të sondazhit, Nea Demokratia, partia konservatore e udhëhequr nga kryeministri Andonis Samaras, do të merrte 23 për qind të votave kundrejt 22 për qind të Syriza, partia radikale e së majtës e udhëhequr nga Alexis Tsipras.

Në vend të tretë është gjithmonë partia pro-naziste Chrysi Avgi, ose Agimi i Artë, me 8 për qind, e ndjekur nga PASOK me 6%, Partia Komuniste me 5%, nga Grekët e Pavarur me 4.5% dhe Demokracia e Majtë me 3 për qind.

Top Channel