Këshilli i Evropës pritet që së shpejti të hapë një zyrë në Shkup, për të ndihmuar vendin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Me këtë vendim raportuesi i KiE-së për Maqedoninë, Robert Valter ka njoftuar të hënën kryetarin e Parlamentit në Shkup, Trajko Veljanovski dhe shefat e grupeve parlamentare.

Partia shqiptare në opozitë, PDSH ka thënë se hapja e zyrës së Këshillit Evropian dëshmon se qeveria po ngec në procesin e demokratizimi të vendit.

“Do të jetë një mundësi shumë e mirë që ne të kemi një adresë ku do t’i adresojmë problemet e shqiptarëve. Por, nga ana tjetër, hapja e zyrës së Këshillit të Evropës në Maqedoni tregon ngecjen serioze që kanë proceset demokratike në vend, si pasojë e politikës së kësaj qeverie”, ka deklaruar shefi i grupit të PDSH-së, Ymer Aliu.

Aliu e ka njoftuar raportuesin e Këshillit të Evropës me situatën aktuale politike në vend dhe me shqetësimet e PDSH-së lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

“Shprehëm shqetësimin tonë për ngecjen e procesit integrues të Maqedonisë në BE për faj të kësaj qeverie. Diskutuam hapur për çështjet që prekin shqiptarët dhe që PDSH-ja, në vazhdimsi i ngre si tema me rëndësi për ta si diskriminimi që iu bëhet me ndarjen e buxhetit, si dhe pamundësinë e përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyrtare”, ka theksuar Aliu.

Rezultatet nga monitorimi i situatës politikë në Maqedoni, raportuesi i Këshillit të Evropës, Robert Valter do t’i prezantojë në Strasburg më 13 dhjetor.

Top Channel