Drejtësia në “Fiks-Fare”

02/12/2013 00:00

Transmetimi i kamerave të fshehta që demaskojnë korrupsionin galopant në drejtësi në emisionin “Fiks-Fare” ka prodhuar valë që kanë tronditur të gjithë opinionin publik shqiptar.

Rudina Xhunga, në emisionin e saj në “Shqip”, përqendroi temën e bisedës pikërisht në këto regjistrime, duke prezantuar publikun për herë të parë me njeriun që mbajti mikrofonët dhe kamerat e fshehta gjatë këtij transmetimi.

Pal Ndoka, personazhi kryesor i kësaj historie ishte i pranishëm në studio, së bashku me zotin Spartak Ngjela, ish-ministër i Drejtësisë, Mero Baze, kryeredaktor i gazetës “Tema” dhe analistin Artur Zheji.

Në lidhje direkte, në “Shqip” mbërritën nga zyra e tij në Prokurorinë e Përgjithshme, kryeprokurori Adriatik Llalla dhe zëvendësdrejtoresha e “Fiks-Fare”, zonja Denisa Haxhiaj.

I pyetur për arsyen që e bënë Ndokën të përballej me drejtësinë, banori i Fushë-Arrëzit nisi të tregonte historinë e tij, të shndërruar në një kryelajm kombëtar. “Ne u arrestuam në datën 15 Prill se bëmë një protestë kundër firmës “Beralt SH.A”. U arrestova unë si fëmilje, me vëllezër, djemtë dhe nipi, bashkë me tre banorë të tjerë të lagjes. Kjo firmë bëri një gabim të madh, bashkë me shtetin. E para që çdo lloj firme që do të hyjë në Shqipëri, duhet të ketë një marrëveshje akt-shpronësimi me shtetin. Firma mori tokën dhe shteti nuk na shpronësoi”, deklaroi Ndoka.

“Në protestë kemi qenë 50 vetë. Erdhi policia e Pukës, pastaj e Shkodrës dhe pastaj RENEA. Policia në fillim mbajti qëndrim të mirë, por shefi policisë hyri në turmë dhe nisi përplasja, e aty ai qëlloi me armë. Plasi xhurma, na morën na rrahën aty brenda në makina, më goditën përtokë. Vajza e vëllai më ndihmuan. Mbaj mend që ka qenë edhe prokurori prezent edhe këtë nuk e fal. Pastaj përfundova në spital në Shkodër dhe ia kam borxh spitalit sepse më trajtuan në mënyrë të përsosur”.

Në këtë moment, nisën edhe andrallat e zotit Ndoka me drejtësinë, me të gjithë familjarët të burgosur. “Më vunë në arrest shtëpie, e pjesa tjetër e familjes në arrest me burg. Nxorra dhëndrin në fillim e me vëllain kontaktuam me telefon me Shtjefën Lleshin, gjyqtar edhe kryetar i gjykatës Pukë. Ai propozoi arrest shtëpie kundrejt 1 mijë dollarë e 1 milionë lekëve të drejta që ia dhamë djalit të tij. Çfarë u kërkua për të tjerët? Unë i kam dhënë 2 mln tek “Vizion +”, aty ka shtëpinë. Unë isha i sëmurë, mora leje erdha në Tiranë, u vizitova në Tiranë e në këtë moment e marr më thotë jam tek shpia. i them a mund të dalësh? Doli Shtjefni, e bëri pazar si me me qenë pazar për bagëti. Për mua kërkoi 4 milionë për lirimin e plotë, për të tjerët histori e gjatë. Në fund e çova pazarin me djalin dhe vëllain tim, 3 mijë euro për njeri për të dalë në detyrim paraqitje. Mbasi dolën në arrest stëpie u çua pazari dhe kaloi 5.5 mln lekë. Unë paguaja ata dilnin një nga një. Kam paguar në total 45 milionë lekë”.

Rrëfimi i zotit Pal u ndal në arsyet që e çuan atë t’I drejtohej për ndihmë emisionit “Fiks-Fare”. “I kërkova ndihmë Avokatit të Popullit. Ai më dërgoi një letër duke më thënë që do të më ndihmonte, por vetëm kaq. Përse Fiksi? Nuk kisha dhe nuk kam frikë. Unë gjithë kohës nuk kam pasur frikë. Nuk kisha frikë sepse nuk kisha përse të pendohesha. i kam borxh popullit të Fushë Arrëzit dhe Tiranës sa të jem gjallë i kam borxh. Nja 250 vetë që më kanë ardhur për ngjarjen, më kanë mbështetur qoftë edhe financiarisht”.

Si përfaqësuese e “Fiks-Fare”, zëvendësdrejtoresha Haxhiaj shpjegoi mënyrën se si u vendos në kontakt me zotin Ndoka. “Unë dua të theksoj që në “Fiks-Fare” është një sektor i pritjes së popullit dhe Pal Ndoka erdhi në pritje populli në një ditë gushti. Në ditët e fundit, ku tregoi historinë e tij që nga fillimi dhe në momentin kur ka ardhur i kishin mbetur në burg edhe tre anëarë dhe tre i kishte liruar. Kërkoi bashkëpunimin tonë dhe hetimi zgjati katër muaj. Kush e mbështeti? Në dispozicion të Pal Ndokës ka qenë vazhdimisht një grup xhirimi i “Fiks-Fare” i përbërë nga gazetarë dhe teknikë që i kanë qëndruar ditë e natë dhe e shoqëronin në çdo bisedë e takim, çdo bisedë është regjistruar nga disa mjete të “Fiks-Fare”. Di të them që janë shumë materialet e regjistruara, por nëse i referohem materialit bruto që prokuroria e ka kërkuar të sekuestrojë bëhet fjalë për 150 orë filmim. Zaganjori? Përsa i përket përfshirjes së tij, ajo që u transmetua është ajo që ka regjistruar Ndoka. Nëse do të ketë gjykatës të tjerë unë në këto momente nuk mund ta them sepse kemi sekretet tona të investigimit”, deklaroi zonja Haxhiaj.

Denoncimi publik i kësaj historie i ka kushtuar jo pak zotit Ndoka, i cili gjatë këtyre ditëve ka marrë kërcënime të vazhdueshme. “Djali im është në burg dhe më thonë që do ta vrasin”, ndau me publikun shqetësimin e tij dëshmitari kryesor i kësaj historie.

I pyetur për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje nga organi i akuzës, kryeprokurori Llalla tha: “Duke iu falenderuar për pjesën tuaj dhe bashkëpunimin që Prokuroria ka pasur me “Top Channel”, ashtu si edhe me gjithë median shqiptare në përgjithësi gjej rastin të falenderoj të gjithë median për kontributin që jep në luftë ndaj korrupsionit, në rastin konkret kërkoj mirëkuptim pasi nuk mund të jap detaje në lidhje me këtë çështje, por ripërmend faktin të reagimit të menjëhershëm që pati Prokurori i Përgjithëshëm, ku menjëherë pas transmetimit u urdhërua fillimi i menjëhershëm i hetimeve dhe pezullimit i hetuesit dhe prokurorit Pukë. Hetimet, për të qenë më transparente po kryehen nga policia në drejtim të prokurorit të rastit. Veprimet hetimore po bëhen me shpejtësinë më të madhe të mundur për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore”.

Duke iu drejtuar kryeprokurorit, zoti Ndoka shtoi: “Dua ta falenderoj kryeprokurorin pasi në sekondën që e kam takuar më ka dhënë në dispozicion stafin dhe më ka ndjetur afër dhe çdo problem më është gjetur i gatshëm. Megjithatë, dua të them këtu në prezencë të prokurori se peshku qelbet nga koka dhe se demi duhet kap nga brinjët dhe jo nga mbrapa, jo me kancelaret, sekretaret apo të tjerë. Prokurori duhet të merret me ish-kryetarin e gjykatës, se s’mund të jetë kryetar gjykate me ato forma dhe të njëjtën gjë me prokurorin Tom Premçi. Unë dua të shoh drejtësi, të mos më kalbet djali në burg”.

Gjykata e Lartë dhe roli i kreut të saj

Në videon e transmetuar nga Fiks Fare, gjatë rekursit në Gjykatën e Lartë, dy sekserët që kërkojnë 6 mijë euro për të liruar djalin e tij, i pohojnë Pal Ndokës, qytetarit që kërkoi zgjidhje për problemin e tij në emisionin investigativ të Top Channel se cështja ishte në dorë të Xhezair Zaganjorit.

Por vetë kryetari i Gjykatës së Lartë reagoi menjëherë duke i quajtur të pavërteta, ndërsa këtë të hënë, Zaganjori komunikoi me median.

“Unë absolutisht nuk kam gjykuar asnjë çështje penale, kështu që është mashtrim i pastër. Personat në fjalë nuk i njoh fare. Ky është fenomen i shëmtuar, por të mbajnë përgjegjësi ata që kanë dhënë dhe që kanë marrë paratë”, tha Zaganjori.

Për analistin Mero Baze “është fyese mënyra se si reagon kryetari i Gjykatës së Lartë. Ndaj, shtoi ai,  është një skandal,kur del thotë që unë nuk kam marrë lekë dhe nuk e di c’ka bërë gjykata ime. Nuk e ka patur njeri në target zotin Zaganjori, por të fyesh në një farë mënyrë inteligjencën e qytetarëve kështu… Problemi është që edhe Gjykata e Lartë është e korruptuar”.

Për avokat Spartak Ngjelën, njëkohësisht kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi vendi ka nevojë të çrrënjosë gjithë sistemin e drejtësisë. “Duhet çrrënjosur sistemi korruptiv. Akuzat gjithmonë fitonin me arrestime të paligjshme. Arbitrariteti i arrestimeve ka krijuar të ardhurat në këtë sektor, pra prokuroria është e korruptuar. Nuk ka skandal më të madh se ky që krijon tension shoqëror. Dhe krimi që krijon tension shoqëror zgjidhet me arrest direkt, kjo është shkolla perëndimore sot. Ku janë sot sekserët? Në burg janë? Jo. janë të lirë. Akuzat që prokurorët u kanë ngritur atyre janë banale, por janë edhe shkelje të të drejtave të njeriut. Të gjithë ata që kanë arrestuar duhet të dalin dhe të gjithë ata që i kanë arrestuar duhet të ishin në burg sot”, tha Ngjela.

Mero Baze shtoi se e gjithë historia shkon përtej fatit të familjes Ndoka. “Historia po ngjall debat dhe shqetësim që zbulon gjiëth sistemin e punës në drejtësi dhe heshtja e politikës në rastin konkret është shqetësuese. Nuk mund të bëjmë fallxhorin mbi fatin e të fundit që ka mbetur në burg, por nëse këtu do të kishim një sistem drejtësie normal, ai do të shkonte tek drejtësia, jo në një betejë personale dhe tek Fiks Fare”, tha Baze.

Analisti Gjergj Zheji u shpreh pesimist mbi efektin e rastit në fjalë. “Deri sa në këtë flagrancë, që Fiksi e ka sjellë si një fileto në pjatën e drejtësisë, i gjithë zinxhiri i përgjegjësive kriminale duhet të ishte sot para hekurave, që të mos ndoste provat, të mos largohej nga vendi dhe të jepte një trend pozitiv, që ka një reagim. Ne nuk kemi asnjë nga këto tre elementë sepse nëse nuk shohim një angazhim. Ky është një rast që një kryeprokuror që do të lërë gjurmë në pozicionin e vet”, tha Zheji.

Edhe Ngjela u shpreh pesimist kur tha se ekziston një kod heshtje, një marrëveshje e fshehtë mes politikës për të mbrojtur sistemin e korruptuar të drejtësisë.

Reagimi i politikës

Gazetari Mero Baze tha se reagimi ka qenë i vakët dhe këmbënguli se duhet të goditet sistemi i korruptuar i drejtësisë.

“Ka patur një reagim të zbehtë që të jep një ndjesi që politika nuk ka dashur të shtyjë përpara këtë dhe ka patur një reagim nga opozita në krah të gjyqtarëve. Një palë i ka dalë qartë pro sistemit, ndërsa pala tjetër ka reaguar varfër nga frika se mos akuzohet për ndërhyrje në drejtësi. Duhet të ketë një reformë në drejtësi sepse ata në drejtësi kanë krijuar edhe vetë një koncvept pandëshkueshmërie. Nëse politika nuk godet sistemin, kjo është histori që është nga më të bujshmet do të përfundojë si një histori e rëndomtë”, tha Baze.

Edhe Ngjela ndau të njëjtin mendim kur tha:  “Reagimi i qeverisë është i dobët se është aprofesional. Me 84 deputetë sot duhet të kishte filluar reforma. Tani krimi, se ky nuk është korrupsion, një gjë e tillë që ndodh në drejtësi është gjëja më e rëndë që i ndodh një shoqërie sepse i deformon sistemin. Sistemi kthehet në një xhungël. Sot kjo mazhorancë, ky kryeministër i ka ardhur një fat në dorë, një test. Ky kryeministër nuk ka aftësinë për ta bërë këtë test ndaj hesht se s’di c’të thotë. Shoqëria ka marrë faktin të cilin e ka ditur. Drejtësia ka qenë e sulmuar, jo të gjithë janë të korruptuar për këtë jemi të dakort, por kjo nuk do të thotë që nuk ka korrupsion. Këtu ky është fakti, nëse kjo mazhorancë dhe ky kryeministër e ka të vërtetë atë që ka thënë për korrupsionin t’i dalë sot, nëse jo kjo do të vazhdojë, marrëveshjet janë të heshtura, mos më prek s’do të të prek. Rama po pati ardhur me klientelë, Rama nuk do të reagojë, po s’pati ardhur me klientelë duhet të reagojë. Të tregojë tani o e con deri në fund ose s’e con. Duhet të presim deri kur të mbarojë i gjithë hetimi i Fiks Fare”.

Nga ana e tij Zheji kërkoi ndërhyrjen sa më parë në sistem përndryshe: “Në një vend që nuk ka drejtësi nuk ka liri. Liri pa drejtësi nuk ka. Flagranca është kaq e madhe sa përshpejton kohën e ndërhyrjes sepse ndoshta tashmë nuk është koha për të ndërhyrë. Flagranca që kapi Fiksi i paraprin programit apo stacioneve të programuara për të bërë nga qeveria. Ose tani ose më vonë nuk do të ketë shans.    

Mero Baze shtoi: “Nëse duhet të ketë nevojë për ndryshime kushtetuese, atëherë le të shkojë edhe në referendum. Këtu gjyqtarët janë një tufë horrash që bëjnë qoka politike, që dënojnë njerëz të pambrojtur dhe lirojnë trafikantë dhe kriminelë.

Top Channel