Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar në prag të raundit të radhës të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel, se më shumë telashe pret në fushën e gjyqësorit, sidomos në pjesën rreth formimit të Gjykatës Themelore në pjesën veriore të Mitrovicës.

Daçiç u ka thënë gazetarëve se pret probleme për shkak të kundërshtimit të Prishtinës që selia e kësaj gjykate të jetë në veri të Mitrovicës, pasi sipas tij, qeveria kosovare mendon se në këtë mënyrë Beogradi po kërkon të krijojë një shtet brenda shtetit.

“Ne thjesht duam që struktura etnike e të punësuarve në gjykatë të përcjellë strukturën etnike të popullatës në atë pjesë të Kosovës e Metohisë”, ka deklaruar Daçiç.

Ai ka përsëritur se tema e bisedimeve të së enjtes me përfaqësuesen e lartë të BE, Catherine Ashton dhe kryeministrin kosovar Hashim Thaçi do të jetë shqyrtimi i situatës pas zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Sipas tij, temë e bisedimeve do të jetë edhe vazhdimi i zbatimit të asaj që parashikon Marrëveshja e 19 prillit, kur është fjala për policinë dhe gjyqësorin.

“Do të diskutohet edhe për hapat e ardhshëm në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe për përcaktimin e disa termave teknikë”, ka sqaruar Daçiç.

Ai ka theksuar se ekziston dakordimi paraprak që pas takimit të nesërm, nëse do të nevojitet, të mbahet edhe një tjetër takim më 13 dhjetor.

Top Channel