Përmendorja e sunduesit serb Car Dushani nuk ka qenë e përfshirë në projektin e komunës Qendër të Shkupit, e cila ka financuar vendosjen e skulpturave në të ashtuquajturën ‘Ura e Syrit’, ku qëndron i ngritur edhe busti i masakruesit të shqiptarëve.

Përveç përmendores së Car Dushanit, përfaqësuesit e komunës Qendër nuk kanë njohuri se kush ka dhënë leje edhe për ngritjen e 8 pëmendoreve të tjera që nuk janë pjesë e projektit të tyre, me të cilin parashihet që në urë të vendosen 29 dhe jo 38 buste sa janë aktualisht.

“Komuna Qendër dhe Këshilli Komunal kanë sjellë vendim për vendosjen e 29 përmendoreve në ‘Urën Syri’. Në mesin e këtyre 29 përmendoreve, që janë paguar nga komuna Qendër përmes Ministrisë së Kulturës, nuk është parashikuar skulptura e Car Dushanit”, deklaroi Katerina Canevska, zëdhënëse e Komunës Qendër në Shkup.

Edhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska është distancuar nga ngritja e kësaj përmendoreje. E pyetur nëse përmendorja është ilegale, ajo ka thënë se kjo çështje duhet të hulumtohet nga mediat.

“Vendimi nuk është marrë nga Ministria e Kulturës dhe e shfrytëzoj këtë rast që t’i përgënjeshtroj zërat se ne kemi kërkuar ngritjen e kësaj përmendoreje. Pra, nisma për ngritjen e këtyre përmendoreve në ‘Urën e Syrit’ nuk është nga Ministria e Kulturës. Ju duhet të drejtoheni tek ata që e kanë realizuar projektin pasi Ministria e Kulturës nuk ka kompenteca për ngritjen e përmendoreve”, deklaroi Kançevska.

Lidhur me ngritjen e bustit të Car Dushanit në Shkup ka reaguar edhe PDSH-ja opozitare e Menduh Thaçit. Kjo parti ka thënë se përmendorja e masakruesit të shqiptarëve nuk është fundi i provokimeve, pasi gjithçka mund të pritet nga partia e Ali Ahmetit, e cila në këtë mënyrë i shpërblen shqiptarët që i dhanë votën.

Top Channel