Qeveria e Serbisë do të kërkojë kompetencat më të larta për Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë. Statuti i kësaj bashkësie pritet të jetë baza e rregullimit të sistemit brenda Kosovës.

Por, ende është e paqartë se sa da t’i përgjigjen komunat serbe institucioneve në Prishtinë. Millivoje Mihajlloviç, shef i zyrës për media në qeverinë e Serbisë, thotë se kjo temë do të diskutohet në Bruksel.

“Serbia do të angazhohet që të ketë sa më shumë kompetenca dhe do të mundohet të bashkojë dhjetë komunat ku jetojnë serbët. Bashkësia e Komunave Serbe është një nga prodhimet e marrëveshjes së Brukselit dhe pas zgjedhjeve duhet forcuar interesi i serbëve të Kosovës”, ka deklaruar Mihajlloviç.

Sipas zyrtarëve serbë, Prishtina nuk ka pse të ketë frikë nga Bashkësia e Komunave Serbe. Ata kanë deklaruar se pavarësisht se votojnë në zgjedhje, ata nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunimi do të jetë i limituar.

“Është e qartë se serbët e Kosovës janë të kthyer me sytë nga Beogradi. Ata do të bashkëpunojnë edhe me Prishtinën aq sa janë të respektuar nga Prishtina, por edhe me Beogradin për aq sa Beogradi do të angazhohet për ta. Interesi i tyre është që të kenë përfaqësues politikë dhe të marrin ndihmë ekonomike edhe nga Prishtina, por edhe nga Beogradi”, ka saktësuar Mihajlloviç.

Top Channel