Diskriminimi i shqiptarëve në Maqedoni nis që në kopshtet për fëmijë. Në qytetin e Tetovës, ku shumica e popullësisë është shqiptare, 62% e vendeve nëpër kopshte janë të rezervuara për fëmijët maqedonas, kurse moshtarët e tyre shqiptarë janë të përfshirë vetëm me 29%.

Këto të dhëna i ka evidentuar Shoqata për Nisma Demokratike, gjatë një hulumtimi lidhur me diskriminimin që i bëhet femrave të komuniteteve jomaqedonase në Maqedoni.

“Struktura e fëmijëve që shkojnë në çerdhe nuk përputhet me strukturën e popullsisë në Komunën e Tetovës. Bashkësia entike shqiptare përbën 73% të popullatës, ndërsa maqedonasit 23,2%. Në çerdhet e Tetovës në vitin 2010, përbërja ka qenë e kundërta, përkatësisht fëmijët maqedonas kanë qenë 62% të përfshirë në këto çerdhe, shqiptarët 29,1% dhe romët 3,7%”, deklaroi Lulzim Haziri, anëtar i kësaj shoqate.

Në bazë të parashtresave të qytetarëve deri tek Komisioni për mbrotje nga diskriminimi, padrejtësitë në baza etnike zenë vendin e parë. Për shkak të përkatësisë etnike, qytetarët më së shumti diskriminohen gjatë punësimit.

Agim Nuhiu, anëtar i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi shtoi: “Më shumë se 10 vite kanë kaluar që prej Marrëveshjes së Ohrit në sistemin politiko-juridik të vendit dhe akoma ka çështje të cilat paraqesin sfidë për ne dhe institucionet tjera që përmenda në fillim, të cilat kanë kompetencë për të luftuar dhe mbrojtur diskriminimin”.

Gjatë një debati mbi sfidat e diskriminimit u tha se qytetarët nuk i denoncojnë sa duhet në institucionet përkatëse rastet e diskriminimit ndaj tyre.

Nga Komisioni për mbrotje nga diskriminimi ftuan qytetarët për bashkëpunimin më të madh në luftën kundër kësaj dukurie negative.

Top Channel