Policia greke ka përdorur bomba me gaz lotsjellës për të shpërndarë në mesditën e së premtes një proteste të studentëve në Athinë kur ata kanë qëlluar forcat policore me gurë ,shishe uji dhe objekte të tjera rrethanore.

Mijëra të rinj nga univesitetet e kryeqytetit dhe shkollat e mesme kanë organizuar mitingje përkujtimore me rastin e 5-vjetorit të vrasjes së 15-vjecarit, Aleksandros Grigoropoulos nga një polic grek në dhjetorin e vitit  2008, një ngjarje që solli protesta nga më të dhunshmet në vend.

Duke marrë shkas dhe nga fillimi I krizës ekonomike në Greqi, protestat kanë vazhduar për javë të tëra duke e kthyer qendrën e Athinës në një arenë betejash.

Pjesëmarrësit në mitingjet në qendër të Athinës pasi kanë përkujtuar vrasjen e 15-vjecarit, kanë protestuar gjithashtu për masat e ashpra ekonomike dhe reformat e dhimbshme që po ndërmerr qeveria, të cilat midis të tjerash kanë prekur edhe sistemin e arsimit.

Nga shkurtimi i vendeve në administratën shtetërore disa universitete janë ende të mbyllura nga grevat e nëpunësve  dhe rrezikohet  jo vetëm semestri i parë i këtij viti, por edhe e ardhmja e tyre.

Policia ka arrestuar të paktën 14 persona dhe ka  shoqëruar 30  të tjerë në rajonet e policisë, ndërsa për disa orë qendra e kryeqyetit ka qenë e bllokuar.

Top Channel