S&P zhvlerëson borxhin e Shqipërisë

07/12/2013 00:00

Zhvlerësimi i borxhit publik të Shqipërisë nga “Standard and Poor’s”,
nuk është një lajm i mirë për ekonominë. Zëvendësministri i Financave,
Erjon Luçi thotë se tani menaxhimi i financave të vendit do jetë më i
vështirë.

“Ne mund të kemi tani terma më të vështira financiare në tregun ndërkombëtar. Gjithashtu edhe agjentë të tjerë tregtarë të huaj, privatë mund të shtrëngojnë termat e tyre për Shqipërinë, kështu që kjo e bën akoma më të vështirë detyrën e menaxhimit të borxhit”, tha Luçi.

Rikthimi i besueshmërisë tek financat publike është shndërruar tashmë në një nga sfidat më të mëdha për Shqipërinë. Zëvendësministri Luçi thotë se pikërisht për këtë Qeveria është duke punuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ajo që ne po mundohemi të bëjmë për momentin, është të gjejmë balancën e saktë ndërmjet rifitimit të besueshmërisë së financave publike dhe orientimit drejt politikave të rritjes, por kjo e dyta mbetet gjithmonë objektivi kryesor. Në këtë rast do të shtojmë edhe atë që e kemi theksuar disa herë, që duhet rritje e qëndrueshme ekonomike dhe jo thjesht rritje ekonomike”, tha zëvendësministri.

Një ditë më parë “Standard and Poor’s” njoftoi se e ka ulur vlerësimin për borxhin publik të Shqipërisë nga B+ në B, për shkak të rritjes së fortë të detyrimeve të Qeverisë dhe devijimit të tyre nga parashikimet e mëparshme prej 58 për qind në 67 përqind e Prodhimit Kombëtar.

Sipas gjigantit ndërkombëtar të financave, kjo rritje e borxhit erdhi për shkak të përdorimit elektoral të buxhetit në periudhën para zgjedhjeve dhe njohjes së detyrimeve të prapambetura nga Qeveria e re, të cilat vlerësohen në masën 4 për qind e Prodhimit Kombëtar.   

Top Channel