Pas një rritjeje prej 0.6 për qind në shtator, krahasuar me gushtin, në Bullgari vazhdon të rritet prodhimi industrial. Kështu thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga Instituti Kombëtar i Statistikave në Sofie.

Sipas të dhënave paraprake, në vend gjatë muajit tetor prodhimi i sektorit industrial me përmirësim sezonal është rritur me 1.5% krahasuar me shtatorin dhe me 4.1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Ajo që çon përpara industrinë e Bullgarisë është sektori i manifakturës së pajisjeve për transportin, i rritur me 30 për qind, prodhimi i metaleve për makineri, i rritur me 28 për qind dhe i produkteve elektronike për kompjuter dhe optikë që është rritur me 21.8 për qind.

Gjithësesi, vendi vazhdon të vuajë nga kriza e rëndë sociale dhe politike, që ka bërë që së fundmi populli bullgar të dalë në protesta kundër sistemit qeverisës.

Muajin e kaluar disa dhjetëra mijëra persona mbushën rrugët e qyteteve Sofia dhe Plovdiv, për të protestuar pro dhe kundër qeverisë. Në Sofie, socialistët thirrën nga i gjithë vendi aktivistët për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj qeverisë.

Ndërsa në Plovdiv, ish-kryeministri Boyko Borissov mbajti një miting të gjerë anti-qeveritar përpara 60 mijë personave, duke akuzuar ekzekutivin për përdorimin e metodave komuniste.

Top Channel