Kryeministri malazez, Millo Gjukanoviç është pritur në Beograd me ceremoni shtetërore. Janë dashur dhjetë vjet që nga vizita e tij e fundit për të ulur tensionet me Serbinë.

Ndonëse dy popuj që konsiderohen vëllezër, pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006 dhe më pas njohja e pavarësisë së Kosovës dy vjet më vonë kishin bërë që marrëdhëniet mes dy vendeve të uleshin në minimum.

Por tani, gjatë takimeve në Beograd është vlerësuar se është koha e interesave dhe e marrëdhënieve më të mira. “Është kënaqësi e madhe që pas shumë vitësh zoti Gjukanoviç është këtu në Beograd si kryeministër i Malit të Zi. Serbia dëshiron marrëdhënie të ngushta me Malin e Zi. Na lidhin shumë gjëra, lidhjet tona tradicionale, por do të duhej të na lidhnin edhe më shumë interesat tona”, ka deklaruar kryeministri serb Ivica Daçiç.

“Pajtohem që marrëdhëniet shtetërore janë në ngritje e sipër edhe pas problemeve që kanë qenë pasojë e rrethanave që kemi kaluar si shtete dhe si rajon. Këto gjenerata të politikanëve tani po tregojnë maturi në krahasim me atë që është trashëgimi historike mes Serbisë dhe Malit të Zi”, ka thënë Gjukanoviç nga ana tjetër.

Serbia dhe Mali i Zi, dikur një union shtetëror që përfundoi me referendum, kanë pasur histori të gjatë të përbashkët dhe të ndarë. Gjukanoviç, i cili e kuptoi se politika e Serbisë nuk ishte shumë pozitive për vendin e tij, filloi distancimet që herët.

Ambasadorja e Malit të Zi në Beograd ishte dëbuar pas njohjes së pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, politikanët serbë kontestonin shtetin malazez. Ndërsa tani është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe janë nënshkruar marrëveshje për ndihmën gjatë procesit integrues në BE.

Top Channel