“Serbia e Bashkuar”, një parti opozitare në Serbi do t’i dërgojë një foto të një bombe gjermane të Luftës së Dytë Botërore të gjetur në Beograd kancelares Angela Merkel, u raportua të martën nga mediat serbe.

Qëllimi i këtij veprimi, sipas përfaqësuesve të partisë me shtatë deputetë në Parlamentin 250-vendësh në Serbi është që të shprehë indinjatën e saj me qëndrimin jofavorizues, që sipas partisë mban sot Berlini zyrtar ndaj serbëve.

“Nëse paraardhësit tuaj hodhën bomba mbi Jugosllavi, duke vrarë qytetarë të pafajshëm serbë, ju si pasardhës duhet të keni një qëndrim tjetër dhe të mos pengoni Serbinë në rrugën e saj europiane”, deklaroi Dragan Markoviç, kryetari i kësaj force politike.

Deklarata e “Serbisë së Bashkuar” vjen ndërsa Serbia pret të mësojë një datë ekzakte për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE.

“Serbia e Bashkuar” është një prej partnerëve të vegjël të koalicionit qeverisës në Serbi, një vend ku për arsye historike ekzistojnë ndienja të forta anti-gjermane.

Në kohët moderne, serbët nuk harrojnë se si Gjermania ishte një prej vendeve kryesore që përkrahu shpërbërjen e shtetit jugosllav, duke qenë gjithmonë ndër vendet e para që kanë njohur të gjithë shtetet e formuara si rrjedhojë e këtij procesi.

Në një kontrast të thellë me ndienjat popullore, Gjermania mbetet sot partneri kryesor tregtar i Serbisë, si në import, ashtu edhe në eksporte.

Top Channel